Maloku: Me kryetarin Bujar Neziri pretendojmë suksese të reja! Mëkat që Ferizaj nuk ka stadium 

Futboll

Maloku: Me kryetarin Bujar Neziri pretendojmë suksese të reja! Mëkat që Ferizaj nuk ka stadium 

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2022 Në ora: 20:07
Shaban Maloku

Një numër i madh i ish futbollistëve nga Kosova, tani punojnë dhe veprojnë në shtetet e ndryshme të perëndimit. 

Ndër ta është edhe ish mesfushori – sulmuesi Shaban Maloku, i cili ka luajtur për ekipet ferizajase, në fillim të viteve të 80-ta, ka qenë pjesë edhe e KF Prishtina, në kohën e trajnerit hungarez Bella Pallfi (kur garonin në ligën e dytë ish jugosllave).

Maloku ka folur për klubin Kosova nga Düsseldorfi, për problemin që ka Ferizaj me stadium, për kombëtaren e Kosovës dhe a synon një ditë që të kthehet në vendlindje si trajner.

“Bota sot”: Çfarë bën aktualisht Shaban Maloku?

Shaban Maloku: Për momentin jam i angazhuar si koordinator i ekipit FC Kosova e Düsseldorfit, njëri nga ekipet më të mira të shqiptarëve në Gjermani, ku me kryetarin z. Bujar Neziri pretendojmë suksese të reja dhe inkuadrimin një ligë më lart, Landesliga.

“Bota sot”: Ferizaj nuk ka stadium, si e komentoni këtë në një qytet që është i dyti më i fortë financiarisht në Kosovë?

Shaban Maloku: Është mëkat si Ferizaj me ekonomi që ka, me tatimpaguesit numër dy në Kosovë, të mos ketë stadium të futbollit.

Është shumë më rëndësi të ceki se stadiumi ku ka qenë në të kaluarën ka ardh në gjendje të mjerueshme sepse po në atë stadium kanë dalë shumë gjenerata të futbollistëve dhe ka qenë një ndër stadiumet më të bukura në Kosovë.

Prandaj, mendoj dhe shpresoj që sa më shpejt të rregullohet fusha e futbollit dhe mos, të humbet koha për rininë sepse rinia është e ardhmja e qytetit dhe shtetit. Me keqardhje po e them se sot rinia sillet rrugëve, mbushen kafiterit dhe shëndetin e dëmtojnë në vend që të argëtohen në fusha sportive e në ajër të pastër, ku vetëm në këtë mënyrë e ruajmë shëndetin.

“Bota sot”: Dikur Ferizaj ka pas dy ekipe në ligën e parë siç quhej atëkohë krahinore (viteve të 80-ta), ndërsa sot mezi e ka një në elitë, ku qëndron problemi?

Shaban Maloku: Shumë e vërtet, dikur Ferizaj i ka pas dy ekipe në ligën e parë dhe me plot sukses, por me ndihmën e shumë njerëzve sportivë që e kanë dashur futbollin me shpirt dhe zemër e pa interes.

Nuk desha mi cek emrat por historinë e klubeve nuk humb. Sot garon vetëm një ekip në Superligë, mendoj se problemi ndoshta qëndron për shkak të mungesës së fushës së futbollit.

“Bota sot”: A ka forcë Ferizaj që të mbetet në elitë?

Shaban Maloku: Sa i përket mbetjes në elitë, unë mendoj dhe shpresoj nuk do të jetë problem duke e marr parasysh potencialin e lojtarëve dhe kryesinë në krye me kryetarin z. Lulzim Abazi, drejtorin z. Agron Selmani dhe trajnerin e mirënjohur z. Arbnor Morina. Prandaj nga zemra ju dëshiroj suksese në të ardhmen.

“Bota sot”: Si e sheh kombëtaren e Kosovës, pra dy ndeshjeve në Ligën e Kombeve me Irlandën Veriore dhe Qipron, ku janë përparësitë?

Shaban Maloku: Sa i përket kombëtares së Kosovës edhe pse i kanë humbur gjasat për vendin e parë, mendoj se do të nxjerrin rezultate të favorshme kundër Irlandës së Veriut dh Qipros, duke e marr parasysh se nuk kanë ngarkesë psikike. Prandaj është shumë më rëndësi koordinimi i kombëtares për të ardhmen.

“Bota sot”: A do të kthehesh një ditë si trajner në futbollin e Kosovës?

Shaban Maloku: Karrierën time si futbollist e kam filluar në Kosovë! Me padurim dhe me plot dëshirë pres se një ditë do t’i kyqem punës si trajner në Kosovës, duke u bazuar në punën time dhe rezultatet e arritura si trajner në Gjermani (Duseldorf).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat