Sot nis edicioni i 71-të, ja dy ndeshjet me eliminim direkt

Futboll

Sot nis edicioni i 71-të, ja dy ndeshjet me eliminim direkt

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 11:44
Sot nis edicioni i 71-të, ja dy ndeshjet me eliminim direkt

Kupa e Shqipërisë për edicionin e 71-të do të ngrejë siparin sot me turin paraeliminator, ku fillimisht do të luajnë katër skuadra që janë pjesë e Kategorisë së Dytë.

Skema e Kupës mbetet e njëjtë si e sezonit të kaluar, ku çiftet janë të paracaktuara nga FSHF-ja deri në turin çerekfinal, ndërsa më pas, në gjysmëfinale hidhet short i lirë për përcaktimin e dy dueleve.

Edhe pse ende institucioni i futbollit shqiptar nuk ka publikuar çiftet për turin e parë, “Panorama Sport” ka arritur të zbardhë të plotë skemën. Kjo skemë është bazuar te renditja e skuadrave në kampionatin e fundit, qoftë në Kategorinë Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë.

Kësisoj, sot në orën 15:00, në stadiumet e Koplikut dhe Bilishtit, do të zhvillohen dy ndeshje me sistem eliminimi direkt: Veleçiku-Murlani dhe Devolli-Sopoti.

Fituesit e këtyre takimeve do të përballen më pas në turin e parë me Tiranën dhe Laçin. Vllaznia, e cila është fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, në turin e parë, që nis më 28 shtator, do të luajë me sistemin vajtje-ardhje ndaj Flamurtarit.

Nga ana tjetër, Partizani përballet me Orikun, ndërsa Kukësi kundër Labërisë. Nuk përjashtohet mundësia që në turin çerekfinal të kemi edhe një derbi mes Tiranës dhe Dinamos, edhe pse kjo mbetet për t’u parë. FSHF-ja ka parashikuar që finalja e këtij edicioni të zhvillohet më 28 maj 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat