Kroos ironizon

Futboll

Kroos ironizon

Më: 6 shtator 2022 Në ora: 17:59
Kros ironizon

Toni Kros vijon të mbetet një nga lojtarët kyçë të Realit të Madridit, pavarësisht se vitet kalojnë. Mesfushori gjerman ka dhënë një intervistë për podkastin “OMR”, ku i ka bërë një rezyme karrierës së tij në Madrid, raportet me klubin dhe presidentin Perez apo të ardhmen e Super Ligës Europiane, e iniciuar pikërisht nga Reali, Barcelona e Juventusi. Mesfushori ka folur edhe për Premier Ligën, duke mos i kursyer thumbimet ndaj klubeve angleze.

Kros ka folur fillimisht për karrierën e tij, duke nisur që nga viti 2014, kur vuri këmbë për herë të parë në Madrid pasi u shpall kampion bote me Gjermaninë. “Tani që vitet kanë kaluar, mund të bëj një bilanc dhe e them me bindje se vendimi për të ardhur në Madrid ka qenë më i miri në karrierën time. Ishte një hap i madh në sferën sportive, por dhe jetën time private. Isha 24 vjeç dhe baba i një fëmije, nuk flisja spanjisht…”, ka thënë ai. Kros ka pranuar se kalimi te Reali i ndërroi jetën. “Erdha te klubi më i madh në botë dhe duhej që gjithçka të funksiononte që në ndeshjen e parë. Falë Zotit kështu ndodhi, nuk mund të mendoja dhe prisja më mirë se kaq”. Në deklaratat e tij për “OMR”, Kros ka folur dhe për presidentin Perez dhe marrëdhëniet me të. “E pranoj se jam i afërt me presidentin Perez.

Që ditën e parë që erdha në Madrid, ai ishte i kënaqur me afrimin tim. Di të them se kam 8 vjet këtu dhe ai kurrë nuk ka menduar të më shesë.

Mund ta bënin, sepse shpenzuan 25 milionë për mua dhe mund të më shisnin për shumë më tepër”. Në intervistë, Kros ka folur dhe për zhurmën e madhe me Super Ligën Europiane, ku Reali është mes themeluesve. Gjermani ka theksuar se herët a vonë ajo do të jetë një realitet i pashmangshëm.

“Ndoshta do të duhej të ishte në zbatim, por unë do ta shijoj pasi të tërhiqem nga futbolli”, shtoi Kros. Kros nuk ka harruar të thumbojë edhe Premier Ligën dhe superioritetin e saj. “Nuk më habit fakti që klubet e Premier shpenzojnë shumë, pasi të ardhurat e tyre nga e drejta TV janë të jashtëzakonshme. Por jo gjithnjë investimet kthehen në sukses. Sezonin që lamë pas, asnjë klub nga Premier nuk fitoi ndonjë trofe. Falë Zotit jo të gjithë lojtarët zgjedhin paratë, por shohin dhe mundësitë për sukses”, deklaroi gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat