​KF Vëllaznimi i drejtohet me ankesë FFK-së: Dikush po e dëshiron fundosjen e klubit tonë

Futboll

​KF Vëllaznimi i drejtohet me ankesë FFK-së: Dikush po e dëshiron fundosjen e klubit tonë

Më: 6 shtator 2022 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Klubi i futbollit Vellaznimi që bënë gara në Ligën e Parë të Kosovës i është drejtuar me një letër Federatës së Futbollit të Kosovës përmes së cilës pretendon se ata po dëmtohen nga gjyqtarët në ndeshjet e këtij kampionit.

Përmes një video të publikuar në faqen e tyre zyrtare, klubi nga Gjakova ka argumentuar rastet në të cilat janë të bindur se janë dëmtuar në ndeshjen kundër KF Phoneix dhe asaj kundër Feronikelit 74.

Ata kanë kërkuar që federata të reflektojë në këtë drejtim derisa kanë shprehur besim të plotë në drejtuesit e FFK-së.

Në këtë reagim, klubi nga Gjakova ka thënë se këto gabime po bëhen me qëllim dhe se dikush po dëshiron që KF Vëllaznimi të fundoset

Ja reagimi i tyre i plotë:

ANKESË

Drejtuar FFK-së

Të nderuar

Po ju drejtohemi për të disatën herë për dëmin që po na shkaktohet nga referimi në ndeshjet e klubit tonë.

Është e vërtetë që si klub nuk po kalojmë ditë të mira. Por, nuk e dimë se ku po e marrin këtë të drejtë gjyqtarët të na dëmtojnë deri në këtë masë. Tashmë nuk kemi dilema. Kjo gjë është duke u orkestruar nga dikush me qëllim të pastër për të na fundosur si klub.

Para kësaj jave në Gjakovë (në ndeshjen kundër KF Phoenix) akordohet penallti qesharake në dëm të klubit tonë të cilën e dokumentuam me pamje filmike. Këtë javë radhën e kishte gjyqtari tejet tendencioz Qëndrim Vata në ndeshjen që e zhvilluam në Drenas ndaj Ferronikelit 74. I njëjti me gabime të qëllimta ndikoi direkt në epilogun e ndeshjes. Së pari na anuloi golin e epërsisë për një offside tejet qesharak të akorduar.

Edhe një fëmijë do të ishte në gjendje të konkludonte që nuk kemi të bëjmë me pozitë jashtë loje. Topi vie tek lojtari ynë Jurgen Gjini pas prekjes së topit nga ana e dy lojtarëve kundërshtarë. Është shumë e qartë që gjyqtari kryesor u sinjalizua nga anësori, por ai si gjyqtarë kryesor ka autoritet që të marr vendim vet nëse konsideron që anësori ka gabuar. Ky as që e merr mundin të konsultohet me të. Pse? Pastaj kishim gabime të panumërta (të qëllimta) në dëm të klubit tonë. Edhe kesaj radhe këto që i cekem më lartë po i dokumentojmë me pamje filmike nga ndeshja në fjalë.

P.S. Nuk jemi nga ato klube që vet-viktimizohemi duke kërcënuar me tërheqje nga garat. Kjo për dy arsye. E para sepse jemi ndër klubet më të mëdha dhe më të vjetër në Kosovë ani pse nuk po kalojmë ditët tona më të mira. Dhe së dyti për shkak se kemi besim të plotë në organet e FFK-se dhe jemi të bindur se FFK-ja do të reflektoj me qellim të ndaljes së ketij dëmtimi të qëllimshëm që dikush po e bënë ndaj klubit tonë.

Me respekt, KF “VELLAZNIMI"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat