Capello këshillon Mourinhon

Futboll

Capello këshillon Mourinhon

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 15:03
Capello këshillon Mourinhon

Ditët e fundit për Romën kanë qenë të hidhura. Nga njëra anë ishte fitorja ndaj Cremonese, e cila i mbajti verdhekuqtë në ritmin e Interit dhe Napolit. Nga ana tjetër, megjithatë, fillimisht ishte dëmtimi i rëndë i Wijnaldum dhe më pas ai më i lehtë i Zaniolos. Klubi tani duket se synon të kthehet në tregun e transferimeve për të marrë një mesfushor të ri.

Megjithatë, Fabio Capello, i intervistuar në “Sky Sport”, mendon se nuk ka nevojë: “Mourinhos nuk i duhet mesfushor tjetër. Po të isha në vendin e tij nuk do të shqetësohesha. Mourinho tashmë ka lojtarë të rëndësishëm, ka marrë Matic.

Jam i dashuruar me të. Jam përballur me të kur kam qenë trajner i Rusisë dhe duhet të them se më ka bërë përshtypje. Ai nuk është ‘playmaker’, por nëse e vendos para mbrojtjes bëhet pengesë për të gjithë kundërshtarët”.

Sipas ish-trajnerit italian, reparti është i kompletuar: “Mourinho ka shumë alternativa në mesfushë. Ai mund të spostojë Pellegrinin përpara, t’i besojë Cristantes dhe mbi të gjitha të ‘vërë bast’ mbi Matiç. Nuk e shoh të nevojshme që të blejë një mesfushor tjetër”.

Mendimi për Belottin është i ndryshëm: “Ky është një operacion që ka logjikë sportive. Ai është një sulmues bujar, ndonjëherë shumë. Punon shumë për ekipin. Nëse shkon te Roma, ai mund ta ndihmojë shumë ekipin. Paralelizmi me Del Vecchio? Belotti është qendërsulmues, Marco ishte një lojtar i larmishëm dhe i pëlqente të fillonte nga e majta. Ai ishte aktiv në të gjithë sektorët e fushës, për shokët e tij ishte themelor”.

Kryesfida e javës së radhës në Serie A do të jetë Juventus-Roma: “Do të thotë shumë, sidomos për verdhekuqtë. Juve është skuadra e vitit të kaluar, ndoshta edhe më e dobët për shkak të dëmtimeve. Chiesa, Pogba, Di Maria do të mungojnë. Allegri nuk do të ketë De Ligt dhe Chiellini nga sezoni i kaluar.

Për bardhezinjtë do të jetë një ndeshje e vështirë. Roma i ka idetë e qarta dhe e kupton se si duhet të luajë. Ka cilësi dhe shpejtësi, si dhe një Spinazzola më shumë se vitin e kaluar në Torino. Do të jetë një ndeshje që do të vendoset nga të huajt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat