Trajnerët me UEFA B në testim

Futboll

Trajnerët me UEFA B në testim

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 11:34
Sulejman Mema

Departamenti i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur nga kjo e hënë procesin e rinovimit të licencave për trajnerë të nivelit UEFA B, UEFA A dhe UEFA Pro. Një proces i rëndësishëm për të gjithë trajnerët shqiptarë që zotërojnë këto licenca e që duhen përditësuar pasi u ka skaduar afati i vlefshmërisë.

Pasi ishin regjistruar në FSHF rreth 140 trajnerë kanë nisur sot leksionet dhe testet për rinovimin dhe të parët janë paraqitur trajnerët me licencë UEFA B, me kursin që do të zgjasë për tre ditë me radhë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë.

Nën drejtimin e përgjegjësve të Departamentit të Edukimit, Sulejman Starova dhe Alban Tafaj, gjatë ditës së parë është diskutuar për disa nga aspektet më të rëndësishme të trajningut, duke filluar që nga evoluimi i taktikave të futbollit dhe teorive të taktikave, përditësimin me rregullat e reja të lojës, mjekësia sportive e deri të futbolli i femrave.

Duke qenë se pothuajse të gjithë trajnerët që zotërojnë licencën UEFA B punojnë me moshat në leksionet e ditës së parë kanë marrë pjesë edhe eksperti i futbollit në Departamentin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo dhe trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari. Ata kanë ndarë me të pranishmit eksperiencën e tyre me moshat dhe kanë shkëmbyer mendime e diskutime se si mund të përmirësohet sa më shumë puna dhe roli i trajnerit me ekipet e fëmijëve. Gjithashtu, trajnerët e licencë UEFA B janë testuar për njohuritë e tyre teknike dhe kanë dëshmuar se si punojnë konkretisht me ekipet e moshave.

Në ditën e dytë dhe të tretë të këtij kursi do të diskutohet për temat si teori e metodologji, zhvillimi i futbollit amator si edhe rëndësia e video-analizës.

Ndërkaq, në datat 25-27 gusht do të vijohet procesi i rinovimit për trajnerët me licenca UEFA A dhe në datat 29-31 gusht për tre ditë do t’i nënshtrohen testeve edhe trajnerët që kanë licencat UEFA Pro, që është edhe më e rëndësishmja për një trajner futbolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat