Pesë gjuhë të huaja dhe autoritet

Futboll

Pesë gjuhë të huaja dhe autoritet

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 11:29
Ancelotti

Të mbyllur si dikur ruhej formula e prodhimit të pijeve joalkoolike “Coca-Cola” (koka-kola), tashmë stërvitjet e Realit të Madridit në Valdebebas kanë ndryshuar. Lejimi i mediave të ndjekin seancat stërvitore ka hapur një botë të re për gazetarët. Mes shumë hollësive, ata mund të kenë vënë re edhe përfshirjen e ndikimin e Davide Ançelotit te Reali.

Ai shihet në Madrid shumë më tepër se vetëm një ndihmës i Karlo Ançelotit apo thjesht si djali i trajnerit të kampionëve të Spanjës. Një nga momentet e para në të cilat kjo u pa qartë ishte dhjetori, gjashtë muaj pas kthimit të tij në Madrid dhe katër pas fillimit të sezonit.

Të gjithëve u kapi syri një detaj, teksa Davide iu afrua kapitenit Benzema. Nuk është se francezi ka nevojë për udhëzime, por duke qenë se të nxënit është një proces i pambarimtë, ndihmëstrajneri i shpjegoi për defektet në mbrojtjen e Atletikos nga të cilat Reali përfitoi më pas për të shënuar.

Edhe përgatitjet verore aktuale po tregojnë disa sekuenca të ngjashme, duke mos u mjaftuar vetëm me komanda rutinë që i jep babai i tij, Karlo Ançeloti.

Ai po përfshihet gjithnjë e më shumë në stërvitjen teknike dhe atë taktike të Realit, aq sa ndonjëherë edhe ngatërron rolet me babain e tij. Por e veçanta është se binomi Ançeloti në Madrid po funksionon dhe të gjithë janë të kënaqur.

Davide Ançeloti shkeli për herë të parë në Madrid në vitin 2013 si ndihmës dhe përgatitës fizik. Por që nga ai vit kanë kaluar afro 10 vjet dhe Davide është i transformuar, një person që shpenzon afro 12 orë në qendrën stërvitore të Realit, gjithnjë duke ndjekur këshillat e të atit, e duke zbuluar çdo ditë e më shumë sekrete nga bota e trajningut.

Pas eksperiencës së parë në Madrid, ai punoi me babain e tij edhe te Bajerni, por duke ngjitur shkallët dhe duke u bërë krahu i djathtë i Karlos, rol që e ka edhe tani te Reali i Madridit.

Davide Ançeloti provoi dhe eksperienca të tjera pozitive te Napoli dhe tek Evertoni, ku ai u bë trajneri i dytë më i ri në historinë e Premier Ligës. Për ndikimin e Davide Ançelotit në Valdebebas flasin edhe lojtarët e Realit.

Ata e shpjegojnë suksesin e tij edhe me dy aspekte themelore që e bëjnë këtë të diplomuar për shkencat sportive të vlefshëm: rinia dhe njohuria në gjuhët e huaja.

Me karizmin e tij, duke vepruar si një polic i mirë, por edhe duke ditur të vendosë kufij, ai ka fituar skuadrën dhe ka bërë të humbet etiketa e djalit të shefit; zotërimi i italishtes, frëngjishtes, spanjishtes, gjermanishtes dhe anglishtes e bën të lehtë komunikimin me të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat