Demneri tregon kushtet

Futboll

Demneri tregon kushtet

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 15:09
Demneri tregon kushtet

Pas një sezoni të suksesshëm me kampionatet kombëtare të futbollit amator, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur organizimin për një edicion të ri, që pritet të ketë shumë risi në aspektin e pjesëmarrjes dhe cilësisë që do të ofrojnë kompeticionet e futbolli amator.

Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, duke analizuar ecurinë e kampionateve të futbollit amator, ka shpjeguar për të gjithë të interesuarit edhe kriteret që duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në kampionatet e futbollit amator të organizuar nga FSHF, duke nisur nga kampionatit 9×9.

Demneri bën me dije se regjistrimet do të nisin më 25 korrik, teksa konfirmon se interesi për të marrë pjesë në këtë kompeticion po vjen gjithnjë e më shumë në rritje.

“Jemi në prag të fillimit të sezonit të ri të futbollit amator, ku këtë vit kemi disa kompeticione dhe shumë risi. Kompeticioni i parë për nga rëndësia do të jetë kampionati i futbollit 9×9 ‘FSHF Sunday League Albania’ me regjistrimet që hapen më datën 25 korrik, ditën e hënë, ku do të marrin pjesë në total një numër prej 32 ekipesh.

Për të marrë pjesë në kampionatin FSHF Sunday League Albania mjafton të kesh dëshirën për të luajtur futboll dhe të mos jesh një lojtar profesionist, por të jesh futbollist amator. Lejohen deri në 25 lojtarë për një skuadër dhe skuadrat duhet të jenë gjithmonë amatore, të kenë trajnerin e vet dhe të gjitha kushtet e tjera mundësohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ne u japim mundësinë e fushës, arbitra profesionistë, delegatët, mjekët sportivë, pra çdo detaj organizohet nga FSHF-ja në mënyrë që të gjithë futbollistët e përfshirë në këtë kompeticion të kenë mundësi të argëtohen duke luajtur futboll”, shprehet drejtuesi i Departamentit të Futbollit Amator në një intervistë për Fshf.org.

Më tej, Demneri flet edhe për kampionatin 5×5, ku ka pasur një rritje të madhe ekipesh dhe futbollistësh amatorë të interesuar për t’u bërë pjesë vit pas viti, ndërkohë që thekson se FSHF merr përsipër pjesën më të madhe të kostove për zhvillimin e ndeshjeve, që nga pagesat për fushat, zyrtarët, por edhe bazën materiale si uniformat apo topat për çdo ekip.

“Kampionati 5×5 vitin e kaluar ka pasur një numër të konsiderueshëm prej 140 ekipesh në të gjithë Shqipërinë, por në këtë edicion të ri pretendojmë që numri të jetë akoma më i madh, duke qenë se kemi qytete si Shkodra apo Vlora që kanë një rritje goxha të madhe të numrit të ekipeve. Gjithashtu, kemi Lezhën, Durrësin, Tirana që mban rekordin në numër regjistrimesh, dhe ky kampionat është pak a shumë i njëjtë me kompeticionin e 9×9, ku edhe këtu marrin pjesë futbollistët amatorë.

Është një kampionat që ndihmon të rinjtë që të dalin nga rutina, nga puna apo për t’u larguar nga streset e përditshme. Sipas rregullores, çdo ekip mund të ketë maksimumi një numër prej 15 lojtarësh, të cilëve u garantohet uniforma e lojës, topat, pagesa e fushës, mjeku sportiv, arbitra profesionistë, delegatë dhe çdo shërbim tjetër.

Të gjithë këto lojtarë, si për kampionatin 9×9 ashtu edhe për atë 5×5, regjistrohen në sistemin Comet, që përdoret nga FSHF për të gjitha kampionatet dhe çdo lojtar që merr pjesë në kampionatet amatore, mund të kontrollojë veten e vet në çfarëdolloj momenti për të parë renditjen e ekipit, golat e shënuar, kartonët, pra në aspektin organizativ çdo gjë është në nivel profesionist”, theksoi Demneri, duke zbuluar edhe risinë kryesore të këtij edicioni, që është zhvillimi i një kampionati kombëtar amator 11×11.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat