Rexhepi, dëshira e madhe e Partizanit

Futboll

Rexhepi, dëshira e madhe e Partizanit

Më: 12 maj 2022 Në ora: 14:47
Rexhepi, dëshira e madhe e Partizanit

Eneo Bitri nuk është i lumtur te Partizani dhe kërkon të largohet, teksa dëshira e tij është transferimi në një ligë më të pasur jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Alban Hoxha është në muajt e fundit të kontratës dhe pas një sezoni plot luhatje, qëndrimi te Partizani është në dyshim të madh.

Madje, dilemat i shton akoma më shumë lajmi që “Panorama Sport” ka arritur të mësojë së fundmi.

Pavarësisht se mbrojtja është reparti më rezultativ në këtë sezon, merkatoja e kuqe nis nga difensiva dhe “shopping”-u po bëhet në Korçë, ku po përgatiten psikologjikisht për rënien në të Parën.

Bekim Rexhepi dhe Leard Sadriu janë dy dëshirat e mëdha të të kuqve, teksa nga ajo që gazeta mëson ekskluzivisht, drejtuesit e Partizanit kanë kontaktuar personalisht të dy lojtarët për një transferim të mundshëm të tyre në kryeqytet në mbyllje të këtij edicioni.

Të dy janë te Skënderbeu në formë huazimi nga Shkëndija dhe kanë kontratë deri në verën e vitit 2023 në ekipin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

Gjithsesi, në Tetovë janë gati t’ia “dhurojnë” Partizanit të dy lojtarët. Bekim Rexhepi nuk gëzon besimin e drejtuesve atje dhe për portën është kontaktuar Alen Sherri, teksa Sadriu nuk ka vend për të luajtur rregullisht te kuqezinjtë.

Këto, por edhe fakti tjetër që asnjëri prej tyre nuk ka shkëlqyer sa duhet për të qëndruar te Shkëndija, ia bën Partizanit “autostradë” rrugën për te dyshja.

Sadriu ka qenë titullar absolut te Skënderbeu, si nën drejtimin e Memellit, ashtu edhe pas ardhjes së Gegës.

Zbarkimi i 21-vjeçarit në klubin e kuq do ta rriste ndjeshëm konkurrencën në difensivë, ku edhe Sota po shpreson të jetë titullar në sezonin e ri.

Nga ana tjetër, në rast se largohet Hoxha, Rexhepi pritet ta ketë të sigurt vendin mes katërkëndëshit, me Aldo Teqjen që do të jetë i gatshëm të përfitojë në rast dobësie të 25- vjeçarit nga Shkupi.

“PRISHTINALIU” – Gjithsesi, dy të lartpërmendurit nuk janë dëshirat e vetme të drejtuesve të Partizanit te Skënderbeu.

Leonat Vitija, një tjetër qendërmbrojtës, i cili nuk ka luajtur çdo ndeshje si titullar në këtë sezon, është gjithashtu një lojtar që i intereson Partizanit.

Në korrik i riu pritet të dalë lojtar i lirë dhe të kuqtë nuk pritet ta kenë të vështirë të sigurojnë shërbimet e 21- vjeçarit nga Prishtina.

Në të shkuarën ai ka luajtur me klubin e tij të qytetit të lindjes dhe KEK-un. Ai është grumbulluar në gjashtë ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat