Duka: Ditë historike për futbollin shqiptar

Futboll

Duka: Ditë historike për futbollin shqiptar

Më: 24 prill 2022 Në ora: 11:16
Duka: Ditë historike për futbollin shqiptar

Stadiumi “Kukës Arena”, xhevahiri i ri i futbollit shqiptar është inauguruar mbrëmë me një ceremonisë festive që i parapriu sfidës së “Abissnet Superiore”, Kukësi-Laçi. Një impiant modern që i shtohet “gjerdanit” të infrastrukturës sportive në këtë, e që ofron kushte ideale, për ekipet, tifozët dhe mediat, duke plotësuar të gjitha kriteret e UEFA-s. Stadiumi i ri ishte i mbushur plot e përplot në këtë ditë të shënuar që do të mbahet mend gjatë.

Për të shijuar stadiumin e ri të pranishëm edhe personalitete të larta të vendi, duke filluar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, etj. Pasi vizituan impiantin e ri dhe u njohën me kushtet e shkëlqyer që ky stadium ofron, të katër personalitet e larta dhanë edhe një prononcim për median, ku u shprehën mjaft të surprizuar për këtë investime madhor i bërë i mundur nëpërmjet bashkëfinancimit të FSHF dhe qeverisë shqiptare.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se kjo është një ditë historike për futbollin shqiptar dhe theksoi se Shqipëria tashmë ka katër stadiume të reja moderne.

“Është një ditë vërtetë historike për futbollin shqiptar në përgjithësi sepse inaugurojmë një vepër madhore. Po të kemi pak memorie vetëm tetë vite më parë Shqipëria vuante për një stadium ku të zhvillonte ndeshje ndërkombëtare. Sot kemi plot katër stadiume të reja, falë një bashkëpunimi shumë të mirë të FSHF-së me qeverinë. Unë dua të falënderoj Kryeministrin dhe Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për mbështetjen me fonde dhe gjithçka tjetër për ndërtimin e këtij stadiumi.

Njëkohësisht dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë Kukës, njëkohësisht Presidenti nder i klubit të Kukësit, i cili në një farë mënyrë e ka merituar që ta sjellë këtë investim në Kukës, pasi është edhe një meritë personale e Safet Gjicit. Para tij Kukësi kishte pak histori në futboll, por ai e nisi me një ekip që nderoi të gjithë futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, me rezultate mbase detyroi edhe Kryeministrin dhe Federatën që t’i kthejnë sytë nga Kukësi, sepse edhe këtu duhet të investohet dhe jam shumë i lumtur që sot kemi këtë impiant të mbushur me spektatorë”, – tha Presidenti Duka duke theksuar faktin se Shqipëria do të presë këtë vit një ndeshje historike europiane siç është finalja e UEFA Conference League, teksa shprehu dëshirën që Kombëtarja të përsërisë një tjetër sukses duke u kualifikuar për në finalet e Euripianit të ardhshëm.

“Padyshim që puna nuk do të ndalet këtu, investime të tjera do të ketë besoj edhe stadiume të tjera, por kryesisht për fusha të reja futbolli.

Kjo vepër infrastrukturore hapet në prag të një eventi shumë të madh që ne do të kemi në Tiranë, finalen e UEFA Conference League, që është një ngjarje madhor për futbollin europian në përgjithësi dhe historik për Shqipërinë, sepse është hera e parë që organizon një event të këtyre përmasave. Unë uroj që futbolli shqiptar në arenën ndërkombëtare t’ia shpërblejë tifozëve me një tjetër sukses siç ishim pjesë e EURO 2016, ta bëjmë Shqipërinë pjesë edhe të finaleve të EURO 2024, pasi shqiptarët e duan shumë futbollin.

Përderisa e dashurojnë kaq shumë futbollin e meritojnë një mbështetje me këto impiante dhe me më shumë fusha futbolli, meritojnë më shumë fëmijët tanë për t’i siguruar të ardhmen. Padyshim që është bërë shumë, po duhet bërë akoma edhe më shumë. Edhe një herë falënderoj shumë Kryeministrin, zonjat ministre dhe Kryetarin e Bashkisë Kukës për të gjithë këtë bashkëpunim dhe realizimin e këtij stadiumi”, – tha Presidenti i FSHF-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat