Shkëndija - Renova, derbi i madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Futboll

Shkëndija - Renova, derbi i madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Më: 10 prill 2022 Në ora: 12:10
Shkëndija - Renova, derbi i madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Shkëndija e Tetovës sot (16.00) do të zhvillojnë ndeshjen kundër rivalit të qytetit Renovës, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 27-të të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut në futboll.

Kuqezinjtë vijnë në këtë ndeshje pas fitores së korrur gjatë mesjavës, kur në cilësinë e mysafirit në qytetin e Manastirit e mposhtën ekipin e Pelisterit.

Gjatë këtij sezoni kuqezinjtë janë përballur me Renovën në tre ndeshje, dy herë në suaza të kampionatit e një në kuadër të garave të kupës.

Ndeshja e fundit ndërmjet të dyja skuadrave ishte ajo e xhiros së 13-të kur me golin e Sindrit Gurit Shkëndija arriti fitore me rezultatin minimal 1:0.

Ndërkaq do të jetë kjo përballja e 53-të e Shkëndijës kundër Renovës gjatë historikut, përderisa  statistikat tregojnë se Shkëndija ka 28 fitore, Renova ka 11 fitore, përderisa 13 ndeshje kanë përfunduar me barazim.

Dashmir Elezi, tha: “Ndeshjet kundër Renovës janë gjithmonë të veçanta përshkak se bëhet fjalë për derbin e qytetit tonë.

Janë ndeshje që zgjojnë edhe interesim më të madh te tifozët, prandaj ne presim përkrahjen e tifozëve tanë në këtë ndeshje. Ekipin e Renovës e njohim mjaft mirë sepse kundër tyre jemi përballur tre herë gjatë këtij sezoni. Nënkuptohet se ne do të shkojmë për fitoren e radhës.

Për këtë ndeshje jemi mirë të përgatitur, e për këtë na ndihmon edhe atmosfera e mirë që mbizotëron në skuadër pas fitores që e arritëm në transfertë ditën e mërkurë”.

Arbitër kryesor i takimit do të jetë Aleksandar Stavrev, do t’i ndihmojnë Dejan Kostadinov dhe Branko Putilin, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Dejan Mlladenovski, që të gjithë nga Shkupi.

Të rejat në skuadër:

Qendërmbrojtësi Jan Krivak është riaftësuar dhe do të jetë i gatshëm për lojë. Poashtu edhe të gjithë lojtarët tjerë do të jenë në dispozicion të trajnerit Shaqiri.

Kundërshtari - Renova:

Pozita momentale: Ekipi i Renovës gjendet në vendin e 5-të në tabelën e klasifikimit me 37 pikë të tubuara.

Ecuria: Renova në pesë xhirot e fundit në ligë ka shënuar një fitore, tre barazime  dhe një humbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat