Manchester City - Liverpool vendos titullin

Futboll

Manchester City - Liverpool vendos titullin

Më: 9 prill 2022 Në ora: 13:06
Manchester City - Liverpool vendos titullin

Ditën e diel, në orën 17:30, Manchester City pret në Etihad Stadium Liverpoolin, në atë që fare mirë mund të cilësohet si finalja e Premier League. Diferenca aktuale mes dy skuadrave është vetëm një pikë, falë së cilës, The Citizens mbajnë kreun e klasifikimit, mirëpo panorama mund të ndryshojë tërësisht me një sukses të të kuqve, ndërsa në vazhdim me shtatë ndeshje të mbetura deri në fund të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp mund të ishin në kontroll të fatit të tyre.

Megjithatë, për të dalë me tre pikë nga Manchesteri nuk do të jetë aspak e lehtë për të kuqtë duke qenë se hera e fundit që kanë triumfuar në Etihad (sa i takon kampionatit) daton shtatë vite më parë, kur në vitin 2015 fitonin 1-4 ndaj City. Prej atij momenti, në fushën e City janë zhvilluar pesë takime të tjera të cilat kanë përfunduar me tre fitore të “Qytetarëve” dhe në dy barazime. Në këtë sezon, ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola ka treguar se nuk është i pamposhtur në shtëpi teksa më parë pikë të plota kanë ditur të marrin Crystal Palace e Tottenham.

Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp mbërrijnë këtë sfidë në një formë të jashtëzakonshme teksa disfata e fundit në Premier League daton më datë 28 dhjetor të vitit të kaluar kur u mposhtën nga Leicester me rezultatin 1-0. Prej atij momenti, Liverpool regjistron 11 sfida në kampionat nga të cilat ka fituar dhjetë dhe ka barazuar në vetëm një rast.

Vlen të theksohet, se ndeshja e fazës së parë mes dy skuadrave rezultoi të ishte një spektakël i vërtetë me sfidën që u mbyll në barazim 2-2, ndërsa tashmë përgatitemi për një tjetër “show”, që do të transmetohet edhe në Supersport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat