Teuta futet në luftën për mbijetesë

Futboll

Teuta futet në luftën për mbijetesë

Më: 5 prill 2022 Në ora: 13:59
Teuta futet në luftën për mbijetesë

Teuta nuk po kalon një formë të mirë, teksa në ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm një pikë. Synimi i të besuarve të Renato Arapit është Europa, por fillimisht duhet harruar humbja ndaj Laçit dhe barazimi ndaj Skënderbeut.

Drejtuesit e klubit blu ia kanë bërë të ditur stafit teknik, si dhe futbollistëve, se presin më shumë në fushë sa i përket lojës. Tashmë në Durrës duan fitore. Në ekip ka lojtarë shumë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, ndaj pritet nga lojtarët një lojë e bukur.

Gjithçka duket se është më se e qartë. Të gjithë presin më shumë nga ky ekip i superinvestuar, jo vetëm në rezultate, të cilat nuk i vënë në diskutim, por mbi të gjitha janë në pritje të një reagimi pozitiv sa i përket paraqitjes së tyre.

Teuta i ka të gjitha mundësitë për të dhuruar emocione nëpërmjet lojës, si drejtuesve, por edhe tifozëve blu. Të gjithë presin reagimin e ekipit sa më shpejt, dhe duhet të përmirësohet loja.

Në Durrës kërkohet të shikojnë futboll të vërtetë dhe një lojë të bukur në fushë. Deri më tani Teuta ka pasur shumë luhatje dhe ende nuk është në ato nivele që të gjithë presin.

Në sfidën e radhës do të përballet këtë fundjavë ndaj Partizanit, në një ndeshje tejet të fortë për ta. “Demat” gjithmonë i kanë vendosur në vështirësi blutë, edhe në shtëpi. Edhe pse duke filluar nga dita e sotme ekipi do të marrë të gjitha detyrat dhe ngarkesën e nevojshme për këtë ndeshje, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se nuk do ta kenë të lehtë përballë tyre.

Ndërkaq, për t’u theksuar është fakti se gjithmonë kur ka luajtur ndaj Teutës, Partizani ka bërë mirë, kështu që edhe kësaj here pritet të jetë e vështirë. Gjithsesi, “djemtë e detit” do të bëjnë të pamundurën në fushën e lojës për të mos zhgënjyer, aq më tepër që do të luajnë në Elbasan. Në këto kushte, të gjithë janë të angazhuar për t’u rikthyer me serinë e rezultateve pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat