Italia ka qenë një strehë për shqiptarët në momente të vështira

Futboll

Italia ka qenë një strehë për shqiptarët në momente të vështira

Më: 5 prill 2022 Në ora: 11:32
Ardit Lika

Italia ka qenë një strehë për shqiptarët në momente të vështira dhe aty tani po lindin edhe shumë futbollistë të rinj, që e dinë origjinën e tyre dhe ëndërrojnë që një ditë të veshin fanellën e kombëtares shqiptares. Mes tyre është edhe 17-vjeçari Ardit Lika, pjesë e kombëtareve të moshave kuqezi që kaluar në shtator të vitit 2021 nga Livorno te Sampdoria.

Arditi është rrëfyer në rubrikën “Talenti shqiptar” për fshf.org dhe tregon se si nisi të luajë futboll. “Unë fillova me futbollin kur isha shumë i vogël. Luaja jashtë shkollës me fëmijë të tjerë dhe personi që më shtyu më shumë ishte gjyshi im, babai i nënës”, rrëfen sulmuesi i krahut të majtë, i cili mund të luajë edhe në linjën tjetër.

Më tej ai thekson se pasioni e shtyn shumë atë që të ecë përpara, ndërkohë flet edhe për njeriun që e këshillon më shumë. “Gjëja që më motivon më shumë është pasioni për këtë sport, që e kam pasur që i vogël. Personi që më këshillon më shumë është babai im. Ai është më afër meje”, – shton futbollisti i ri, i cili ka qenë pjesë e Shqipërisë U18 në miqësoren kundër Italisë.

“Herën e parë që u thirra në kombëtare isha shumë i lumtur dhe entuziast”, tregon Ardit Lika, i cili ka diçka për të cilin është krenar deri më tani, veç faktit që provoi të luajë me kuqezinjtë e drejtuar nga Ardi Behari. “Jam shumë krenar që kam ardhur në një klub të rëndësishëm si Sampdoria”, thotë sulmuesi i ri.

Sampdoria nuk është një klub pa lidhje me shqiptarët dhe njërin prej atyre që ka luajtur aty, Rey Manajn, Arditi e ka si motivim. Po te Sampdoria ka qenë edhe një tjetër i ri që po spikat këtë sezon me Tirol në Austri dhe është nën kontratë me Juventusin. Bëhet fjalë për Giacomo Vrionin.

“Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është sulmuesi Rey Manaj”, – shton sulmuesi i majtë, i cili më pas kalon kufijtë dhe na tregon si cili lojtar i huaj e motivon atë. Sigurisht i pëlqen shumë stili i lojës dhe teknika që ka. “Lojtari i huaj që më motivon është Neymar”, – vijon rrëfimin Lika.

Synimet Arditi i ka të qarta dhe ka diçka që ai do e donte shumë. Në fakt jo vetëm ai, por çdo i ri shqiptar që merret me sportin e bukur të futbollit. “Jam shumë i lumtur që numri i lojtarëve shqiptarë në Serinë A është gjithnjë e më i madh. Kjo më jep shumë besim, duke shpresuar që një ditë të arrij aty ku janë.

Mendoj se Shqipëria ka një të ardhme shumë të rëndësishme në vitet e ardhshme, duke parë se sa shumë shqiptarë luajnë në kampionate të rëndësishme në Europë. Qëllimi im më i madh është të luaj në Serie A dhe në kombëtare”, – përfundon rrëfimin e tij Ardit Lika, i cili mezi pret grumbullimin dhe ndeshjen e radhës me fanellën kuqezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat