Sonte shorti i Botërorit “Katar 2022”

Futboll

Sonte shorti i Botërorit “Katar 2022”

Më: 1 prill 2022 Në ora: 11:12
Sonte shorti i Botërorit “Katar 2022”

Sot, shorti do të përcaktojë tetë grupet e Botërorit që do të zhvillohet në nëntor-dhjetor të këtij viti në Katar. Në vazo do të jenë vetëm 29 nga 32 pjesëmarrësit, me 3 kombëtare për t’u caktuar pas ndeshjeve të fundit “play-off”.

Ky do të jetë edicioni i fundit me 32 skuadra finaliste (nga Botërori i SHBA-Kanada-Meksikë 2026 do të jenë 48 kombëtare finaliste), do të luhet për herë të parë në dimër, nga data 21 nëntor deri më 18 dhjetor 2022.

Nga shorti do të dalin tetë grupe, me nga katër kombëtare secili. Në vazon e parë, vendi pritës Katari, plus shtatë përfaqësuesit më të mirë të renditjes së fundit të FIFA-s. Në çdo grup mund të jenë maksimumi dy kombëtare evropiane, ndërsa kontinentet e tjera do të kenë maksimumi një ekip për grup. Në vazon e katërt do të jenë skuadrat që vijnë nga “play-off”-i në muajt e ardhshëm.

Aty do të sistemohen edhe 3 kombëtaret e mbetura pa u zbardhur ende, që do të vijnë nga “play-off”-et e fundit: Uellsi kundër Skocisë ose Ukrainës, Peruja kundër Australisë ose Emirateve të Bashkuara Arabe, Kosta Rika kundër Zelandës së Re.

Shorti do të nisë në 18:00, me orën tonë lokale në Qendrën e Ekspozitave dhe Konventave të Dohas, në Katar.

Kombëtaret sipas vazove, para shortit

VAZO E PARË

Brazil, Belgjikë, Francë, Argjentinë, Angli, Spanjë, Portugali, Katar;

VAZO E DYTË:

Holandë, Meksikë, Danimarkë, Gjermani, SHBA, Zvicër, Uruguai, Kroaci;

VAZO E TRETË:

Senegal, Iran, Japoni, Serbi, Poloni, Kore e Jugut, Marok, Tunizi;

VAZO E KATËRT:

Kanada, Kamerun, Arabia Saudite, Ekuador, Gana, plus tri të fundit që do të përcaktohen (një midis Uellsit / Skocisë / Ukrainës; një midis Kosta Rikës / Zelandës së Re; një midis Australisë / Emirateve të Bashkuara Arabe / Perusë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat