Mendon seriozisht tërheqjen nga kombëtarja

Futboll

Mendon seriozisht tërheqjen nga kombëtarja

Më: 31 mars 2022 Në ora: 13:52
Mendon seriozisht tërheqjen nga kombëtarja

David de Gea ishte mungesa e madhe e Spanjës në grumbullimin e fundit, në dy takimet miqësore të marsit, ndaj Shqipërisë dhe Islandës. Dy miqësore që tekniku Luis Enrique i shfrytëzoi në maksimum për të testuar elementët e rinj, ndonëse për vetë portierin e Manchester United nuk ishte surprizë, pasi trajneri spanjoll e kishte telefonuar përpara se të shpallte listën me lojtarët e grumbulluar.

Luis Enrique i ka bërë me dije portierit, se mungesa e tij ishte për të provuar elementët e rinj dhe se nuk ka të bëjë me formën e tij aktuale. Gjithsesi, burime pranë portierit bëjnë me dije se, 31-vjeçari nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim dhe se është totalisht i mërzitur me mungesën e ftesës. Pavarësisht shpjegimit të Enrique-s, gardiani madrilen nuk është bindur edhe nga shpjegimi i trajnerit, ndërsa në Spanjë, në orët e fundit po qarkullon lajmi se, David de Gea i ka kërkuar trajnerit spanjoll që të mos e grumbullojë më, pasi edhe në rast të një ftese, ai do ta refuzonte.

Diçka e tillë ka ngritur shumë pikëpyetje, por çdo gjë ka një shpjegim, fillimisht, de Gea është i mërzitur me situatën, por mbi të gjitha ka kuptuar se prej kohësh ka humbur statusin e titullarit dhe nuk do të pranojë më të jetë një “rezervë” në kombëtaren spanjolle. Por, a do ta marrë një vendim të tillë, në rrugë zyrtare De Gea, kur jemi pothuajse në ethet e Botërorit Katar2022, që për të mund të jetë i fundit në karrierë? Kjo natyrisht tani mbetet për t’u parë.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur edhe vetë Luis Enrique, i cili ka deklaruar se, biseda e tij me De Gea-n është totalisht private, por nëse portieri dëshiron të flasë dhe të tregojë se çfarë është biseduar, ai është i lirë ta bëjë.

Në qershor, Spanja do të luajë në Nations League dhe do të jetë momenti për të kuptuar nëse De Gea do të jetë pjesë e Kombëtares apo jo, duke ditur se së fundmi rolin e titullarit e mban Unai Simon, por deri atëherë ka kohë, si për Luis Enrique-n ashtu edhe për portierin David de Gea, i cili në CV-në e tij numëron 45 prezenca me Spanjën nga 8 qershori i vitit 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat