Premier Liga i jep një tjetër goditje Rusisë

Futboll

Premier Liga i jep një tjetër goditje Rusisë

Më: 7 mars 2022 Në ora: 21:01
Foto ilustrim

Premier Liga dhe EFL po vazhdojnë të tregojnë solidaritet me Ukrainën, shtet i cili tash e më shumë se një javë është duke u përballur me luftë ndaj Rusisë.

Premier Liga dhe EFL Championship raportohet se do të anulojnë transmetimin e ndeshjeve në Rusi.

Të dy ligat kanë udhëzuar avokatët e tyre që të fillojnë procesin e përfundimit të kontratave të transmetimit në Rusi, me një njoftim zyrtar që pritet të bëhet në ditët e ardhshme, sipas “Sky Sports”.

Organizatorët e ligave profesionale të Anglisë janë të bashkuar në qëndrimin e tyre që të mos shfaqin më ndeshje në Rusi, derisa Vladimir Putin vazhdon të bëjë luftë kundër Ukrainës.

Lëvizja, e cila ende nuk është finalizuar, do të nënkuptonte një ulje të të ardhurave nga transmetimet e huaja, në rastin e Premier Ligës, marrëveshja aktuale ruse vlen rreth 6 milionë funte në vit. Por, ka besim në mesin e drejtuesve të futbollit se të gjitha klubet angleze do të ofrojnë mbështetjen e tyre të plotë për planin.

Javën e kaluar, Qeveria e Britanisë së Madhe shtoi “Sberbank” në listën e saj për t’u përballur me sanksione të rrepta. “Rambler”, kompania televizive me bazë në Moskë që ka një kontratë me Premier Ligën dhe EFL për të transmetuar futbollin anglez, është një degë e “Sberbank”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat