Vashat kuqezi japin maksimumin

Futboll

Vashat kuqezi japin maksimumin

Më: 6 mars 2022 Në ora: 17:56
Vashat kuqezi japin maksimumin

Prej dy ditësh, Kombëtarja shqiptare për femra U-17 ka nisur grumbullimin dhe stërvitjet në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian, ku Shqipëria garon për t’u ngjitur në Ligën A.

Trajneri i ekipit kuqezi, Agustin Kola ka në dispozicion 20 futbolliste për ndeshjet ndaj Azerbajxhanit, Maqedonisë së Veriut dhe Skocisë.

Në prag të këtyre sfidave, fshf.org ka zhvilluar dy intervista të tjera me dy prej lojtareve të ekipit Kombëtar, të cilat kanë qenë edhe më parë pjesë e skuadrës kuqezi dhe shprehen të lumtura që kanë marrë ftesë për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë aktivitet.

Klejda Synaj flet për fshf.org dhe tregon për emocionet e grumbullimit. “Emocionet nuk mungojnë, edhe pse kam qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares. Jam shumë e lumtur për ftesën dhe do jap maksimumin tim” – shprehet Synaj ndërsa thotë se objektivi i Kombëtares për këto sfida është vendi i parë në grup dhe ngjitja në Ligën A.

“Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne. Me Azerbajxhanin kemi luajtur edhe më parë, ndihemi më të përgatitura. Edhe Maqedonia e Veriut nuk është një ekip i ri për ne. Sa i përket Skocisë, është një kundërshtar i ri, por ne do japim maksimumin tonë. Synimi ynë është sigurisht vendi i parë në grup, që të kalojmë më tej në Ligën A, që të marrim pjesë në Europian”- thotë futbollistja e ekipit kombëtar.

Ëndrra e gardianes shqiptare është që të jetë pjesë e ekipit A, ndërsa flet edhe për synimet me Vllazninë.

“Me Kombëtaren synoj që të jem pjesë e ekipit A një ditë, duke kaluar nga ekipi U-17 tek U-19 e më tej në grupin e parë. Te Vllaznia synoj që të luaj si titullare dhe të jem në formacionin e parë të ekipit kampion të Shqipërisë” – përfundon Synaj.

Një tjetër futbolliste mjaft e talentuar në radhët e skuadrës kuqezi është edhe Klaudia Borci, e cila gjithashtu nuk i fsheh emocionet kur pyetet për ndjesinë e të qenit pjesë e Shqipërisë.

“Është emocion i madh të përfaqësosh këto dy ngjyra dhe të jesh pjesë e Kombëtares- thotë Borci, e cila thekson se objektivi i Shqipërisë në këto ndeshje është vetëm të marrë pikët e plota në grup. “Objektivi ynë është të fitojmë dhe të marrim 9 pikë në këto tre ndeshje. Me Azerbajxhanin kemi luajtur edhe më parë, e njohim, ashtu sikurse edhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Skocia është një ekip i ri, por do bëjmë maksimumin”- thekson futbollistja shqiptare.

Në fund, ajo flet edhe për objektivat në aspektin personal. “Synimet e mia janë të jem pjesë e Kombëtares A, ajo është ëndrra ime dhe me Vllazninë të arrijmë sa më lart, të shkojmë në Champions League dhe të fitojmë ndeshje- përfundon Klaudja Borci për fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat