I shpërtheu fishekzjarri në fytyrë, kreu 11 operacione në sy

Futboll

I shpërtheu fishekzjarri në fytyrë, kreu 11 operacione në sy

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 14:04
I shpërtheu fishekzjarri në fytyrë, kreu 11 operacione në sy

Omar Elabdellaoui nuk është dorëzuar asnjëherë, pavarësisht se thuhej se humbi njërin sy, kur i shpërtheu një fishekzjarr në fytyrë, natën e Vitit të Ri 2021. Megjithatë, ai ka arritur të kapërcejë të gjitha pengesat dhe është rikthyer të luajë futboll. “Nuk mund të shoh, nuk mund të shoh”, – i bërtiti lojtari një shoku, pasi fishekzjarri i shpërtheu në fytyrë.

Baruti depërtoi në lëkurë dhe i dogji sytë. I mori flakë edhe xhaketa. Gruaja e tij Anne vrapoi për ta ndihmuar në shuarjen e flakëve, por pasojat ishin të dukshme. Do të ishte fillimi i një rruge të gjatë drejt rikuperimit për mbrojtësin e Galatasaray, i cili do të bëjë një rikthim të mrekullueshëm në ekipin e parë të shtunën, pasi iu nënshtrua 11 operacioneve për të rikthyer shikimin, pasi ishte i verbër klinik, shkruan Telesporti.

“Mendova se kisha diçka në sy dhe duhej ta pastroja, por më pas ndjeva se fytyra më digjej dhe gjithçka ishte e zezë”, – kujton ai. Futbollisti norvegjez ishte në kopsht duke u përgatitur për të ndezur një fishekzjarr me miqtë dhe familjen, përfshirë tre fëmijët e tij, kur gjithçka iu errësua. Një ambulancë mbërriti brenda pak minutash, por u desh shumë kohë për të mbërritur në spital.

Kur e bëri këtë, gazetarët dhe shokët e tij e prisnin atje. Lajmi i keq u përhap shpejt në rrjetet sociale, kur dikush që po e shoqëronte drejt spitalit postoi një foto të fytyrës së tij të djegur rëndë, brenda ambulancës. “Unë me të vërtetë nuk kisha kontroll mbi veten ditët e para, – thotë norvegjezi që dikur hyri në akademinë e të rinjve të Manchester City. – Gjithçka ishte errësirë, nuk e dija nëse ishte ditë apo natë”.

Omar nuk u dorëzua në asnjë fazë të shërimit të tij, të kryer në dy kontinente: Evropë dhe Amerikë. E operuan me sukses në Turqi dhe SHBA. Pak nga pak e arriti mrekullinë. Para së gjithash shpëtoi syrin për shkak të një periudhe të përsosur rikuperimi. Më pas ka kaluar testet për të luajtur pa problem një ndeshje zyrtare.

Tani ai duhet të përdorë pika për sy çdo gjysmë ore, përveç rasteve kur është në fushë. Mbrojtësi iu bashkua skuadrës turke në fillim të janarit, i pajisur me syze speciale dhe një lente kontakti. Kondicionimi i tij fizik mund të rikuperohej lehtësisht. “Kur u kthye për të luajtur, gjithçka ishte shumë emocionuese, të gjithë lojtarët qanë dhe u përqafuan me njëri-tjetrin”, – thotë Dr.Yener i Galatasaray, i cili dha miratimin për rikthimin e tij në fushë. Dy javë më parë mori pjesë në një miqësore, ku u ndje si ditën e debutimit.

Këtë fundjavë, në ndeshjen në shtëpi ndaj Kayserispor, pritet të jetë në stol. Deri më sot, ai ka një lidhje të pathyeshme me klubin aktual. Domenec Torrent, trajneri i tij, është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e Omarit dhe ka kërkuar që të autorizohet rikthimi i tij në kampionat. Mund të jetë edhe titular nesër. Një mrekulli e vërtetë, pas një kalvari që duket shkatërruese ta tregosh, jo më ta provosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat