Drita gati, Nuhiu kërkon fitore

Futboll

Drita gati, Nuhiu kërkon fitore

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 15:53
Drita gati, Nuhiu kërkon fitore

Drita nga Gjilani po bëhet gati për sfidën e nesërme, me të vetmin synim: Fitore.

Nënkampioni vjeshtor mobilizohet dhe kërkon pikë të plota në pjesën e dytë të kampionatit.

Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, dhe futbollisti, Leotrim Rexhepi folën për përgatitjet parasezonale, stinorin e ri dhe ndeshjen e nesërme, FC Drita – KF Feronikeli, takim ky që zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin e Ulpianës në Lipjan.

Nuhiu theksoi se respektojnë kundërshtarin e nesërm, por FC Drita synon tri pikët e para për këtë stinor.

“Nesër do të kemi një kundërshtar që duhet ta vlerësojmë dhe respektojmë në maksimum, sepse duke vlerësuar kundërshtarin do të tregojmë dhe respektojmë edhe vlerat tona si skuadër. I gjithë fokusi për ndeshjen e nesërme, sepse është një tre pikësh shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”, ka thënë fillimisht Nuhiu.

Nuhiu vlerësoi fazën përgatitore parasezonale, e cila sipas tij e ka ndihmuar Dritën në aspektin taktik dhe atë psikologjik.

“Në fazën përgatitore parasezonale kemi punuar në aspektin fizik, taktik dhe psikologjik të skuadrës.

Jemi munduar të marrim më të mirën nga futbollistët, kemi zhvilluar ndeshje shumë cilësore në Turqi me kundërshtarë të fortë dhe në ndeshje të tilla e vlerëson skuadrën se sa është përmirësuar. Jemi munduar të përmirësojmë çdo detaj, të kompletohemi dhe të jemi sa më të balancuar e të reagojmë kur duhet.

Jam munduar që skuadrën ta përgatisë edhe në aspektin psikologjik dhe ta bind se duhet të fitohet cdo ndeshje, sepse do të jetë një garë e fortë me rivalitet deri në fund të kampionatit”, theksoi Nuhiu.

Sa i përket organizimit dhe zhvillimit të ndeshjeve si vendas, trajneri Nuhiu njoftoi se FC Drita pritet që ndeshjet e tjera të rikthehet e t’i zhvillojë në stadiumin “Selami Osmani – Bezi” në Gjilan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat