​Kreu i KOKSH: Kosova po njihet nga të gjithë përmes sportit

Futboll

​Kreu i KOKSH: Kosova po njihet nga të gjithë përmes sportit

Më: 7 janar 2022 Në ora: 16:39
Fidel Ylli

Rezultatet e jashtëzakonshme të arritura nga Kosova në sport gjatë vitit 2021, e posaçërisht nga Federata e Xhudos janë vlerësuar lart edhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Madje, ai thotë se Kosova po njihet nga të gjithë, përfshirë edhe Serbinë, përmes sportit duke aluduar në sukseset e sportistëve të Kosovës.

Në një interviste për KosovaPress, ai ka thënë se puna e jashtëzakonshme e bërë nga trajneri Driton Kuka me xhudistët Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi solli rezultate kulminante derisa u ka bërë thirrje kryeministrave të të dy vendeve, Albin Kurtit dhe Edi Ramës që ta kthejnë vëmendjen nga sporti dhe të investojnë sa më shumë në këtë fushë.

Ylli: Vëmendja e kryeministrave shqiptar të kthehet nga sporti

“Ne vërtetë kemi një Majlinda Kelmendi, një Distria dhe një Nora, por mos të harrojmë që këto sportiste, kampione olimpike që e kanë çuar Kosovën në majën e sportit botëror i ka stërvitur një trajner i jashtëzakonshëm si Driton Kuka që doli edhe trajneri më i mirë në botë. Këto janë vlerat e sportit që promovojnë Kosovën, promovojnë Shqipërinë, promovojnë vlerat tona dhe unë dua t’i bëjë një thirrje nëpërmjet jush kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, zotit Kurti dhe zotit Rama, vëmendjen nga sporti, të rrisin buxhetet për federatat sportive, për Komitetin Olimpik, për sportin në shkollë, për sportin të gjithë sepse në fund të fundit Kosova nuk është njohur akoma nga OKB-ja por është njohur nga 206 komitete olimpike në të gjithë rruzullin tokësor. Pra edhe Serbia që nuk e ka njohur Kosovën, por e ka njohur nëpërmjet sportit”, tha Ylli.

Ylli mendon se Kosova dhe Shqipëria duhet të organizojnë sa më shumë kampionate të përbashkëta dhe kështu të thyejnë shumë barriera pasi do të rriteshin edhe më shumë investimet në sport duke tërhequr edhe investitorë.

Ylli: Kosova dhe Shqipëria të organizojnë sa më shumë kampionate të përbashkëta

“Ky është sporti. Sporti është ai që bën gjithçka, është ai që lëvizë të gjithë gurët edhe në politikë sepse ishte një ndeshje e Shqipërisë në Beograd, një sherr që hyri BE-ja, hyri Departamenti i Shtetit foli për këtë ndeshje, tregon që ne nëpërmjet sportit mund të heqim të gjitha barrierat, ne mund të bëjmë kampionate të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, atje ku nuk na ndalon FIFA dhe UEFA, por në sporte të veçanta ne peshëngritje, në mundje, në atletikë, në not, në boks ne mund të nxjerrim një kampion të përbashkët. [...] Sa më shumë që ne ta zgjerojmë bërjen e kampionateve kombëtare aq më shumë do të kemi të ardhura për sportin.”, tha Ylli.

Në muajin shtator Serbia e pengoi dhe nuk e lejoi ekipin e Kosovës që të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në Beograd, gjë që kishte ngjallur edhe reagimin e Shqipërisë.

Për këtë çështje, i pari i Komitetit Olimpik Shqiptar siguron që do të ndiqen të gjithë hapat derisa Serbia të marrë dënimin e merituar që ajo të mos e organizojë më asnjë Kampionat Botëror ose Evropian në të ardhmen.

Ylli: Kërkojmë që Serbia të marrë dënimin e merituar

“Ne do t’i përgjigjemi me kulturën tonë, me edukatën tonë dhe do t’i mposhtim kundërshtarët tanë me luks. Do të tregohemi që ne jemi komb i edukuar, jemi komb me traditë dhe jemi një komb që respektojmë rregullat ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare e ka njohur Kosovën dhe Serbia e ka humbur atë përfundimisht, është në gramat e fundit dhe Kosova shumë shpejtë do të njihet dhe nga shumë vende të BE-së, por ne treguam nivelin tonë dhe ndoqëm rrugën diplomatike, nuk donim që çështja e Kosovës të bëhej një çështje politike por donim që çështja e Kosovës të ndiqej nëpërmjet kanalit diplomatik të sportit që do të thotë se Lëvizja Olimpike do të marr masa karshi organizatorëve te federatës botërore që herën tjetër mos të bëjnë më dhe Serbia të penalizohet që të mos organizojë më asnjë Kampionat Botëror, asnjë Kampionat Evropian sepse përkundër do të kemi raste të tjera të kësaj natyre”, u shpreh Ylli.

Në fund, Ylli pranoi se Kosova kishte arritje të jashtëzakonshme në sport gjatë vitit 2021, por përmendi gjithashtu rezultatet e mira të arritura nga atletët shqiptarë në Lojërat Olimpike dhe e cilësoi si vit të suksesshëm si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.

Ylli: Viti 2021 ishte i suksesshëm si për Kosovë ashtu edhe për Shqipërinë në sport

“Unë mendoj që të dy vendet kanë pasur performancë, Kosova të jashtëzakonshme me dy medalje olimpike në sportin e xhudos, por edhe Shqipëria ka pasur një rezultat fantastik në atletikë ku për herë të parë Shqipëria futet në 13-shen më të mirë të Lojërave Olimpike me Luiza Gegën e cila kishte vajtur në Olimpiadë jo me ftesë por kishte vajtur me normë, me një normë me 3000 metra me pengesa dhe një normë tjetër në 5000 metra. Edhe sportisti ynë Briken Calja (peshëngritje) ai i cili në peshën 73 kilogramë, për një kilogramë humbi medaljen e bronztë, njëkohësisht doli në vendin e nëntë Erkan Qerimaj (peshngirjte) dhe në vend të nëntë Madvei Petrov (gjimnastikë) . [...] Mund të them që edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën ishte një vit i suksesshëm”, tha në fund Fidel Ylli.

Gjatë vitit të kaluar, Komiteti Olimpik i Kosovës si dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar kanë zhvilluar takime të përbashkëta në shërbim të rritjes së bashkëpunimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat