Memelli: Goli i parë i Vllaznisë ishte aksidental

Futboll

Memelli: Goli i parë i Vllaznisë ishte aksidental

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 17:46
Memelli: Goli i parë i Vllaznisë ishte aksidental

Skënderbeu do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive për të lënë pas humbjen e fundit në transfertë ndaj Vllaznisë. Korçarët presin në shtëpi Kastriotin, teksa bëhet fjalë për një ndeshje direkte mes dy skuadrave që kanë si objektiv mbijetesën. Në konferencën për shtyp, trajneri i bardhekuqve, Migen Memelli thekson se e vlerëson Kastriotin e vendit të fundit njësoj sikur të përballej me vendin e parë të klasifikimit, ndërsa shton se loja e skuadrës në ndeshjet e fundit i jep garanci.

“Çdo ndeshje e kampionatit ka rëndësinë e saj, kemi hyrë në një moment që çdo trepikësh ka vlera maksimale. Nesër kemi një kundërshtar të vështirë, por duhet të futemi në fushën e lojës me bindjen për të marrë tre pikët e radhës.

Pas golit të parë aksidental nga Vllaznia, skuadra ka pasur ritmin e duhur dhe deri kur morëm golin e dytë kemi qenë në ritmin e duhur, kemi pasur zotërimin e topit edhe pse ky nuk është një element që të jep rezultatin.

Por, loja dhe rastet nuk na munguan në Shkodër, por vuajtëm konreketizimin e rasteve që nuk ishte në nivelin e ndeshjeve të mëparshme. Kemi punuar në këtë aspekt dhe besoj do të jemi në lartësinë e duhur për t’iu përgjigjur kundërshtarit.

Nesër mungon Zguro, pastaj pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme. Kastrioti si kundërshtar? Për mua çdo kundërshtar është i vështirë. I vlerësoj njëjtë si vendin e parë të tabelës ashtu edhe të fundit. Do të bëjmë një lojë ku të kërkojmë rezultatin dhe më pas duke ruajtur ritmin e ndeshjeve të fundit, kam bindjen se do të marrim rezultatin.

Strategjitë kanë një plan të caktuar dhe ato ndryshojnë sipas ndeshjeve. Këtë ndeshje na lind për detyrë që të jemi më ofensive, por duke parë edhe kundërshtarin do të mundohemi të kemi ekulibër në të dyja fazat. Manovra sulmuese është ajo që do të japë më shumë temp, kemi gjetur ekuilibrat e duhur edhe në sajë të lojës së mirë”.

Dy ndeshje 6 pikë? “Të mendojmë për nesër dhe më pas për Dinamon. Janë dy kundërshtarë të ndryshëm që kërkojnë strategji të ndryshme, duhet të mendojmë vetëm për nesër dhe nëse marrim tre pikë, pastaj me Dinamon do të kemi më shumë qetësi. Të gjithë bateritë i kemi për ndeshjen e nesërme”, u shpreh Memelli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat