Gremio fiton por bie nga liga

Futboll

Gremio fiton por bie nga liga

Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 11:24
Gremio

Fitorja ndaj kampionëve të saposhpallur të Brazilit, Atletico Mineiros me rezultatin 4:3 nuk i mjaftoi Gremios për të evituar rënien nga kategoria në Brazil.

Skuadra nga Porto Alegre e cila në 2017-ën u ngjit në majën e futbollit amerikano-jugor duke fituar për herë të 3-të në histori Copa Libertadores preku fundin dhe sezonin e ardhshëm do t’i duhet të garojë në Serinë B braziliane pasi e mbylli kampionatin në vendin e 17-të me 43 pikë.

Gremios i duhej të fitonte sfidën e saj ndaj Atletico Mineiros gjë që e realizoi por në të njëjtën kohë që të shpëtonte skuadra e trajnerit Vagner Mancini duhej që Bahia e cila u mposht nga Fortaleza me shifrat 2-1 por edhe Juventude që fitoi 1-0 ndaj Corinthias të humbisnin sfidat e tyre respektive. Kjo ishte rënia e tretë në histori për skuadrën tricolor pas atyre të viteve 1991 dhe 2004.

Gremio që numëron dhe dy tituj kampion në Brazil dhe që në këtë sezon kishte në gjirin e saj një emër të madh si Douglas Costa i cili luante i huazuar nga Juventusi por edhe ishin e Bayernit Rafinha tashmë 36-vjeçar, bëri detyrën përballë Atletico MG duke realizuar tre gola të shpejtë në harkun e 20 minutave të para me Souzan që shënoi dy herë dhe Campaz.

Megjithatë Atletico MG që vëmendjen e kishte te finalja e së dielës ndaj Athletico Paranaense në Kupën e Brazilit rihapi sfidën me golat e ishit të Interit dhe Romës Dodo, sulmuesit të përfaqësueses kiliane Edoardo Vargas brenda pjesës së parë.

Në fillimin e së dytës në katedër u ngjit Douglas Costa që shënoi golin e tij të 3-të me Gremion në këtë sezon ndërsa në fund për kampionët e Brazilit shënoi edhe Hyoran. Në fund pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit në Arena do Gremio pavarsisht fitores pllakosi heshtja dhe u derdhën lot, për një rënie nga kategoria të paparashikuar të një prej skuadrave më emblematike të futbollit brazilian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat