Ky ishte formacioni i parë i Kombëtares së Kosovës në vitin 1992

Futboll

Ky ishte formacioni i parë i Kombëtares së Kosovës në vitin 1992

Nga: K.G. Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 13:57
Foto e 14 shkurtit të vitit 1993, para ndeshjes me Shqipërinë

Në gushtin e nxehtë të vitit 1991, gjithçka mori fund me garat e ligës ish jugosllave, Kosova formoi institucionet e veta, Federatën e Futbollit të Kosovës, me kryetar Agim Bytyçi dhe u formua Kampionati i Parë i pavarur i Kosovës.

Cili ishte formacioni i parë i Kombëtares së Kosovës pikërisht me 5 prill të vitit 1992, me selektorin Ajet Shosholli. 
Në librin e Federatës së Futbollit të Kosovës, “Futbolli 1991-2011 - 20 vjet mëvetësim”, shkruan:

“Pas disa kontakteve të prijësve të FFK-së me drejtuesit e skuadrës së futbollit “Shkëndija” nga Tetova, përkatësisht me kryetarin, Abil Behxheti, arrihet pajtueshmëria për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe kështu klubi tetovar nis një ftesë për FFK-në dhe Kombëtaren e Kosovës që ta zhvillojnë në ndeshje miqësore më 5 prill, të vitit 1992, në Tetovë. Tashmë përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli kishte bërë përzgjedhjen dhe grumbullimin e futbollistëve, të cilët do të përfshiheshin në përgatitje tri ditore prej 26 deri më 29 mars 1992 në stadiumin e Flamurtarit.

Në Tetovë kishin udhëtuar kryesia e FFK-së bashkë me shumë përfaqësues të klubeve, mysafirë tjerë si dhe Shtabi teknik dhe ekipi kombëtar i Kosovës. Para ndeshjes u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të disa klubeve nga Kosova dhe të disa klubeve shqiptare në Maqedoni.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Prishtinës, të Flamurtarit, të Lirisë, të Elektroekonomisë, të Drenicës, të Llapit, të Dritës, të Besëlidhjes, të Trepçës, të Vëllaznimit dhe të Gjakovës, klube këto nga Kosova në një anë dhe në anën tjetër ishin përfaqësuesit klubeve shqiptare në Maqedoni si: “Gradeci”, “ Nerashta”, “Liria”, e “Shkëndija”. Nga ky takimi rrodhi konstatimi se klubet duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e dyanshëm në të gjitha sferat.

Ndeshja u zhvillua para afro 7000 shikuesve, ku Kombëtarja e Kosovës fitoi me rezultat 4:0, ndërsa ndeshjen me sukses e drejtoi gjyqtari ndërkombëtar Shinasi Berisha nga Prishtina, kurse delegatë të ndeshjesh ishin Sani Arif nga Tetova dhe Xhafer Morina nga Prishtina.

Kosova: Ahmet Beselica, Fadil Berisha, Bashkim Radogoshi, Arsim Gashi, Isa Sadriu, Skënder Shengyli, Bakir Burri, Suad Keçi, Ibrahim Domi, Genc Hoxha dhe Ramiz Krasniqi, ndërsa në vazhdim u inkuadruan edhe: Florent Karahoda, Sabit Osmani, Bejtush Bejta, Afrim Tiovërlani, Remzi Hashani, Arbër Grabovci, Endri Salihu, Bekim Mulliqi dhe Adnan Aliu".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat