Laçi-Vllaznia, sfidë interesante

Futboll

Laçi-Vllaznia, sfidë interesante

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 15:04
Laçi-Vllaznia, sfidë interesante

Një nga përballjet më interesante të javës së parë në Kategorinë Superiore do të zhvillohet në Laç mes vendasve dhe Vllaznisë.

Dy skuadra që edicionin e shkuar luftuan për titull, madje në javën e fundit përveçse ishin në garë për trofeun kalendari i kishte rezervuar edhe përballjen e drejtpërdrejtë, një sfidë që u fitua nga kuqeblutë 2-0.

Në Europë ecurina e të dy ekipeve ishte pozitive, pak më tepër ajo e kurbinasve që mbërritën deri në raundin e 3-të të Conference Leagues ku gjatë rrugës eliminuan edhe rumunët e Universitatea Craiovës, megjithatë nga ai kualfikim ka patur ndryshime sepse trajneri Shpëtim Duro u largua dhe në vendin e tij u emërua malazezi Dejan Vukicevic.

Bardhezinjtë kanë patur edhe disa ndryshime në emra, megjithatë boshti përgjithësisht duket se është ruajtur me Malotën e Ignjatovic në mbrojtje dhe Lushken e Deliun në mesfushë dhe në sulm Harmon i cili do të ketë dhe ndihmën e Guindos.

Në krahun tjetër Vllaznia nuk ka bërë ndryshime në stol me Brdaric që do të nisë sezonin e dytë si trajner i kuqebluve, ndërkohë që Alban Xhaferri ka ndryshuar statusin nga sponsor në president të klubit. Edhe tek shkodranët ka patur largime dhe afrime futbollistësh dhe pavarësisht paraqitjes pozitive në Europë, është e panjohur për të gjithë se si do të jetë ecuria e këtij sezoni, edhe pse objektivi është maksimal. Një sfidë shumë interesante dhe e gjitha për t’u ndjekur ajo që do të zhvillohet në orën 13:45 në stadiumin “Laçi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat