Shpërthen ndaj Koemanit

Futboll

Shpërthen ndaj Koemanit

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 11:10
Shpërthen ndaj Koemanit

Miralem Pjaniç është lojtar i ri i Besiktas. Aventura e tij me Barcelonën, e cila zgjati vetëm një vit, përfundoi keq. Shumë keq, vërtet. Polemika të furishme të mesfushorit boshnjak, i cili pasi nënshkroi me turqit, e lëshon veten në një intervistë shumë të gjatë me të përditshmen “Marca”, duke e nxjerrë dufin në veçanti me Ronald Koeman:

“Edhe sot nuk e di saktësisht se çfarë donte, kurrë nuk u përpoq të m’i shpjegonte gjërat, as të gjente një zgjidhje. Shkova vetë ta pyesja se çfarë donte nga unë, nëse po bëja mirë apo keq, doja të isha i dobishëm… Për të nuk kishte probleme në lojën time, kurrë nuk më dha përgjigje. Koha kaloi, situata u përkeqësua, por pa asnjë arsye. Unë sillesha shumë mirë, shumë profesionalisht. Është një gjë shumë e vështirë për t’u kuptuar.

Unë jam një person që gjithmonë dua më të mirën dhe madje edhe më shumë. Kur nuk jeni duke luajtur është e vështirë të ndiheni mirë fizikisht dhe mendërisht, sepse trajneri ju vret besimin, sepse nuk keni komunikim me të. Unë jam një lojtar që mund të pranoj gjithçka, por gjithmonë dua që gjërat të më thuhen në fytyrë. Jo sikur asgjë nuk po ndodh, sikur të jem 15 vjeç. Kam dhënë maksimumin deri në fund, kam qenë profesionist me shokët e skuadrës, duke punuar gjithmonë edhe për ta, në mënyrë që të përgatiten mirë për ndeshjet. E dija që nëse trajneri mbetet në postin e tij, do të më duhej të gjeja një zgjidhje”.

Pjanic është një “lumë i tërbuar”. Ai thotë se “ka luajtur në të gjitha pozicionet e mesfushës, por Koeman nuk më ka dashur kurrë”. Dhe pastaj vazhdon: “Nuk ishte e lehtë. Duhet të jesh këmbëngulës, i kthjellët, sepse ndonjëherë mund të reagosh keq, futbolli është i tillë. Unë kam qenë gjithmonë shumë respektues ndaj tij, por edhe me shokët e skuadrës. Pyetni çdo lojtar dhe do t’ju tregojnë se si jam stërvitur gjithmonë.

A erdhi të fliste me mua gjatë sezonit? Asnjëherë. Po, një ditë në fillim të sezonit erdhi dhe thjesht më pyeti për gjendjen time, si isha. Unë i thashë: Mister, dua të luaj, e dua futbollin, dua të luaj, të jem i lumtur. Dhe ai m’u përgjigj: Ju nuk mund të keni alternativa, sepse tregu është shumë i komplikuar me Covid dhe gjithçka. Nëse nuk gjeni klub tjetër, do të luftoni për një fanellë si të gjithë të tjerët. I thashë po, sepse doja të luaja si të gjithë të tjerët.

Sinqerisht, e kam pyetur veten shumë herë ku kam gabuar. Ai mund të mos ketë pëlqyer që i thashë medias se doja të luaja më shumë. Çdo trajner do t’ju thoshte: Mirë, ti po konkurron për një vend dhe më pëlqen që e thoni diçka të tillë. Ndoshta është kështu, ose ai thjesht nuk më pëlqen. Por do të më pëlqente të ma thoshte në fytyrë: ti nuk je për mua. Ballë për ballë nuk thoshte asgjë, diçka që nuk e kuptoj. Ishte e komplikuar, sepse është hera e parë që diçka e tillë më ka ndodhur mua”.

Pjanic është ende në pronësi të Barcelonës, por të mendosh për kthimin e tij në Katalonjë është një utopi e pastër: “Unë kam një kontratë, e kam respektuar gjithmonë klubin, thjesht nuk kam pasur fat me këtë trajner. Por Barça është akoma Barça. Çdokush tjetër do të mendonte 10 herë për t’u larguar, por më duhej të zgjidhja; s’mund të rrija edhe një vit tjetër atje duke luajtur zero minuta. Unë dua të luaj, jam i fokusuar dhe i lumtur me këtë lëvizje, mezi pres të filloj këtë sezon me Besiktas”.

Në mbyllje, intervistuesi e pyet Pjanic nëse i vjen keq që nënshkroi për Barcelonën: “Jo, kurrë. Në jetë, gjërat që duhet të ndodhin ndodhin. Por, Koeman nuk më respektoi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat