Duro: Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova

Futboll

Duro: Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 12:44
Duro: Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova

Aventura e Laçit në Europë me shumë gjasa do të përfundojë mbrëmjen e sotme në “Lotto Park” ndaj Anderlechtit, sepse pas humbjes 0-3 në sfidën e parë, përmbysja ndaj gjigantëve belgë do të jetë vërtetë një mision i pamundur për kurbinasit.

Megjithatë bardhezinjtë nuk kanë shkuar për shëtitje në transfertën belge, pasi duan të tregojnë anën më të mirë të tyre dhe të përdorin këtë sfidë si një vitrinë për disa prej futbollistëve më të spikatur, fakt ky që e pranon edhe trajneri Shpëtim Duro, në një intervistë të gjatë të dhënë për të përditshmen belge “La Derniere Hour – Les Sportes”.

Intervista e Duros me gazetarin belg nis pikërisht nga njeriu që bashkon Anderlechtin me Shqipërinë, ish mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Besnik Hasi, i cili ka kaluar 14 vite në klubin belg, 6 prej të cilave si futbollist, 6 si ndihmës trajner dhe dy si trajner i parë.

“Besnik Hasi na telefonoi për të na dhënë disa këshilla mbi Anderlechtin dhe përballjen me ta. Ai është shumë i madh për ne dhe ka kontribuar shumë për futbollin shqiptar”, shprehet Duro.

Laçi bëri historinë, duke ia dalë për herë të parë të luajë në turin e tretë eliminator të një kompeticioni europian, teksa Duro pranon supremacinë e kundërshtarit që u vuri shorti përballë dhe thekson se objektivi i kurbinasve është arritur tashmë.

“Objektivi ynë fillestar ishte të kalonim një tur, por tani e shohim veten në raundin e tretëm, ndaj kemi përmbushur gjithçka me sukses. Natyrisht që na vjen keq që jemi në prag të largimit nga Europa, por edhe për faktin që në përballjen e parë me Anderlechtin na munguan dy lojtarët tanë më të mirë, Mazrekaj e Shehu. Megjithatë Anderlechti është komplet një botë tjetër, që ka dy apo tre lojtarë për rol, ndërsa ne na u desh të plotësoheshim me futbollistë të të rinjve apo të skuadrës rezervë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, por mua më pëlqyen më së shumti Sergio Gomez, Rafaelov dhe Verschaeren. Shpresat tona për kualifikim janë minimale në ndeshjen e kthimit, por do të provojmë të tregojmë cilësitë tona, pavarësisht inferioritetit”, tha Duro.

Anderlecht stërvitet nga një emër mjaft i njohur si Vincent Kompany, që ka luajtur për vite të tëra me Manchester Cityn dhe ka qenë një pikë referimi në përfaqësuesen belge, ndërsa sjellja e 35-vjeçarit ka befasuar vërtetë për mirë Shpëtim Duron.

“Po të shikosh karrierën e tij, klubet ku ka luajtur dhe faktin që është trajner i një klubi të madh në Belgjikë, të duket befasuese kur vjen ai i pari dhe na përshëndet, pasi normalisht duhet të ishte e kundërta. Shumë herë njerëz të këtij niveli na shikojnë me një sy ndryshe, por Kompany e ka kokën mbi supe dhe është i përulur. Ai na kishte vlerësuar maksimalisht dhe ishte përgatitur për përballjen me ne. Është vërtetë një njeri i madh, ndaj i urojmë suksese në karrierën si trajner”, tha Duro.

Duke folur për Laçin, tekniku i mirënjohur pranon se kurbinasit janë një klub që formon futbollistë për t’i shitur më pas në tregun e huaj, teksa thekson se niveli i skuadrës është i mirë dhe mund të krahasohet me ekipe të mesit të renditjes në Belgjikë.

“Ne jemi një klub që formojmë lojtarë për t’i shitur më pas në klubet e huaja, kryesisht në Kroaci, Turqi e Hungari. Tregu belg është disi i mbyllur për ne, pasi nuk jemi shumë popullorë këtu, megjithatë më herët kanë qenë Olayinka e Abazaj që janë transferuar nga Skënderbeu te Gent dhe Anderlecht. Ne humbëm 70% të futbollistëve në fund të sezonit dhe jemi ndërtuar rishtazi, por mund të them se me 2-3 përforcime, mund të garonim për mesin e renditjes në Ligën e parë belge. Aktualisht kemi 5-6 lojtarë të aftë për të bërë karrierë jashtë vendit, por mund të them se emra si Shehu, Deliu e Lushkja mund të luajnë fare mirë në ligën tuaj të parë”, u shpreh trajneri kryeqytetas.

Në fund nuk mund të mungonte një panoramë e Shpëtim Duros edhe për futbollin shqiptar në tërësi, ku ka evidentuar përmirësimin e infrastrukturës dhe mbi të gjitha përfaqësimin dinjitoz që po bëjnë në arenën europiane.

“Klubet shqiptare janë të vogla, por futbolli ynë është duke bërë një përparim të madh. Kombëtarja mori pjesë në Euro 2016, ndërsa Skënderbeu luajti dy herë në grupet e Europa Leagues. Falë investimeve të Federatës së Futbollit, në 10 vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura dhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane na ndihmon edhe më shumë, sidomos në aspektin financiar, pasi na jep mundësi të reklamojmë futbollistët tanë në Europë.

Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova, me një buxhet disa fish më të lartë se i yni dhe tani po përballemi me Anderlechtin, ndaj vitrinë më të mirë nuk besoj se ka. Me punën që po bëjmë, kemi ngjallur interes te klubet e huaja dhe mund të them se kemi pasur edhe kontakte nga klube të ligës së dytë në Belgjikë”, mbyll intervistën e tij Shpëtim Duro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat