FSHF lavdëron Uzunin dhe Muçin, protagonistë absolutë në Champions

Futboll

FSHF lavdëron Uzunin dhe Muçin, protagonistë absolutë në Champions

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 11:54
FSHF lavdëron Uzunin dhe Muçin, protagonistë absolutë në Champions

Mbrëmja e së mërkurës ka qenë e artë për dy nga futbollistët e Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për Ernest Muçin dhe Myrto Uzunin, të cilët kanë shkëlqyer në ndeshjet e para të turit të tretë të UEFA Champions League.

Ernest Muçit i janë dashur vetëm 7 minuta lojë për të shënuar një gol me Legian e Varshavës. Sulmuesi shqiptar, që u fut në lojë në minutën e 75-të, duke zëvendësuar Rafael Lopez, ka treguar sërish dhëmbët në ndeshjen që polakët zhvilluan mbrëmjen e kaluar ndaj Dinamos së Zagrebit, e vlefshme për turin e tretë të UEFA Champions League.

Në minutën e 82-të të takimit, ai merr përsipër të godasë një top nga distanca, që rezultoi mjaft i saktë e duke përfunduar në fundin e rrjetës kundërshtare. Ky gol i Muçit i dha barazimin polakëve, të cilët javën e ardhshme do të luajnë në shtëpi ndeshjen e radhës dhe ku do të tentojnë të kalojnë në fazën play-off të këtij kompeticioni. Ky ishte goli i parë i Ernest Muçit në këtë garë, teksa disa ditë më parë, në ndeshjen hapëse të kampionatit, shqiptari shënoi një gol me peshë për Legian, duke i dhënë tre pikëshin e parë në kampionatin polak.

Nga ana tjetër, Myrto Uzuni është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te skuadra e Ferencvarosh, duke qenë vendimtar në shumë sfida. Në ndeshjen që hungarezët zhvilluan ndaj Slavias së Pragës, ku fituan me rezultatin 2-0, beratasi ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes.

Teksa luhej minuta e 50-të e takimit, sulmuesi shqiptar arriti të fitojë një penallti për skuadrën e tij. Një driblim i kundërshtarit dhe një pasim për shokun e skuadrës, do të vinte në vështirësi lojtarin e Slavias, i cili bën një ndërhyrje të gabuar brenda zonës. Penalltia u ekzekutua nga Igor Karatin, i cili dyfishon shifrat për Ferencvarosh, që hedh një hap të sigurtë drejt fazës play-off, me një meritë të madhe të shqiptarit, Myrto Uzuni, shkruan FSHF.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat