Messi e udhëheq Argjentinën drejt gjysmëfinales në Kupën e Amerikës

Futboll

Messi e udhëheq Argjentinën drejt gjysmëfinales në Kupën e Amerikës

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 08:26
Lionel Messi

Lionel Messi e ka frymëzuar Argjentinën drejt gjysmëfinales në Kupën e Amerikës, duke e shënuar një gol dhe duke i përgatitur dy të tjera për ta mposhtur 3:0 Ekuadorit të shtunën.

Messi – i cili është në kërkim të trofeut të parë të madh me kombëtaren – asistoi për Rodrigo de Paulin dhe Lautaro Martinezin, para se të shënonte vetë nga gjuajtja e lirë për ta dërguar Argjentinën në gjysmëfinale.

Argjentina do të përballet me Kolumbinë në gjysmëfinale të martën.

Megjithëse e mbizotëroi kundërshtarin dhe krijoi raste të shpeshta, Argjentina vuajti për ta thyer akullin në Stadiumin Olimpik Pedro Ludovico.

Një pasim magjik pa shikuar fare nga Messi ia mundësoi mesfushorit të Udineses De Paul ta fusë topin në rrjetë nga afërsia në minutën e 40-të.

Ekuadori e mori topin në kontroll në pjesën e dytë, duke e mbizotëruar atë shumicën e kohës, por nuk qe në gjendje të krijojë shumë, ndërkohë që argjentinasit ishin më kreativë përpara.

Martinezi ua shoi shpresat atyre kur e dyfishoi epërsinë në minutën e 84-të, pasi e pranoi një top të pasuar nga Messi brenda zonës.

Messi i dha vulë fitores së Argjentinës në kohën shtesë me një gol mahnitës nga gjuajtja e lirë. Ky ishte goli i dytë i tij nga gjuajtja e lirë në këtë turne.

Argjentina do të përballet me Kolumbinë, ndërsa Brazili me Perunë në gjysmëfinalen e fillimjavës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat