Etrit Berisha kryen vizitat mjekësore, gati transferimi te Torino

Futboll

Etrit Berisha kryen vizitat mjekësore, gati transferimi te Torino

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 00:41
Etrit Berisha

Etrit Berisha mund të konsiderohet tashmë një lojtar i Torinos. Numri 1 i përfaqësueses shqiptare ka mbërritur në qytetin kryesor të Piementos dhe ka zhvilluar vizitat mjekësore, një ritual që i paraprin firmës mbi kontratë.

32-vjeçari nga Prishtina kishte edhe një vit kontratë me Spalin, por presidenti i “demave” gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit bardhekaltër për ta afruar menjëherë gardianin kuqezi tek klubi torinez pa paguar asgjë, teksa klubi nga Ferrara do të heqë barrën e pagës vjetore të portierit.

Me Torinon Berisha do të ketë një kontratë që do ta mbaj të lidhur me këtë klub deri ën vitin 2023.

Berisha pritet të marrë vendin e Salvatore Sirigut dhe ka shumë gjasa që të jetë titullar tek Toro, duke qenë që portieri i përfaqësueses italiane nuk ka një marrëdhënie të mirë me drejtuesit e tifozët, dhe ka shprehur dëshirën për t’u larguar edhe pse ka edhe një vit kontratë me klubin.

Ndërkohë gardiani i përfaqësueses sonë rikthehet në këtë mënyrë në Serinë A pas një edicioni në Serinë B. Berisha ka luajtur në nivelin maksimal të futbollit italian edhe me fanellat e Lazios, Atalantës, por edhe Spalit. Portieri numëron 139 paraqitje në Serinë A dhe do të jetë një garanci më shumë për trajnerin e sapoardhur Ivan Juric.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat