Probleme brenda Francës

Futboll

Probleme brenda Francës

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 13:34
Probleme brenda Francës

Franca i ka dhënë lamtumirën Euro 2020 duke u eliminuar nga penalltitë, por mbi të gjitha duket se po del nga turneu me një grup të shkatërruar, pasi është zbuluar se në skuadër ka patur vazhdimisht tensione në këtë aktivitet. Arroganca e disa personazheve brenda skuadrës, apo edhe tensione të panevojshme për çdo batutë, kanë bërë që Franca të mos ishte më ai grupi i bashkuar i tre viteve më parë dhe kjo u pasqyrua edhe në fushën e lojës.

E përditshmja sportive franceze “L’Equipe”, tregoi se problemet kishin nisur që në fazën përgatitore dhe se shumë lojtarë nuk kishin shkuar në gjendjen optimale drejt Europianit pikërisht për gabimet që kishin bërë në javët para tij. Në atë listë futen emra si Benzema, Dembele, Lukas Hernandez, Koman, Kunde, Rabio, Lemar e Turam, por jo Pogba apo Mbape, të cilët sipas gazetës franceze kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm që të jenë në maksimum në këtë aktivitet. Problemi ka qenë se lojtarët nuk pëlqenin mënyrën e punës të përgatitësit atletik Muen, i cili sipas tyre kishte kërkuar intensitet të lartë ndërkohë që temperaturat ishin shumë të larta.

Ndërsa konfliktet në grup ishin një temë tjetër e rëndësishme. Afrimi i Karim Benzema kishte tensionuar grupin, sidomos nga mënyra se si ishte zyrtarizuar gjithçka, sikur ai të ishte shpëtimtari i kombit kur në fakt po i bashkohej një grupi që kishte dalë Kampion Bote. Afrimi i tij solli tension te lojtarët e tjerë, që rrezikonin vendin dhe kjo u pa në përplasjen mes Mbape dhe Zhiru. Sulmuesi i ri i PSG u bë problematik edhe me disa sjellje arrogante ndaj Loris, Sisoko e Mandanda, duke u kthyer në personazh antipatik brenda grupit, ku u përplas edhe me Grizman.

Dëmtimi I Dembele bëri që të largohej nga skuadra një lojtar i cili krijonte gjithmonë grup dhe krijonte humor mes futbollistëve, të cilët u ndanë në grupe dhe kishin probleme të shumta edhe në fushë me njëri-tjetrin. Kjo u pa ndaj Zvicrës ku pat përplasje të dukshme Pogba-Rabio dhe Pavard-Varane në momente të veçanta.

Kështu, Franca largohet nga Europiani e shpërbërë plotësisht dhe tashmë Deshamp, apo kushdo që mund ta zëvendësojë nëse ai largohet, do të ketë detyrë kryesore të ndërtojë edhe një herë një grup të bashkuar, para se të kërkojë rezultate në fushën e lojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat