Asnjë lojtarë i Dritës në listën e Challandes, reagon Zymberi: Listë dëshirash, Challandesit mund t’i ndihmojë në këtë drejtim

Futboll

Asnjë lojtarë i Dritës në listën e Challandes, reagon Zymberi: Listë dëshirash, Challandesit mund t’i ndihmojë në këtë drejtim

Më: 31 maj 2021 Në ora: 17:53
Zymberi dhe Challandes

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë publike listën e futbollistëve për dy miqësoret e tjera të muajit qershor kundër dy kombëtareve afrikane, Guinesë dhe Gambisë.

Për dallim nga dy miqësoret e para kundër San Marinos dhe Maltës, në dy miqësoret e tjera të qershorit të cilat zhvillohen në Antalia të Turqisë, përzgjedhësi Challandes ka ftuar futbollistë të rinj.

Në këtë listë janë të përfshirë 10 lojtarë nga Superliga e Kosovës. Prishtina dhe Ballkani e dominojnë këtë listë sa i përket numrit të lojtarëve të ftuar, ndërkaq është grumbulluar edhe kapiteni i Trepçës ’89, Muharrem Jashari.

Befasi e dorës së parë ka qenë se në këtë listë nuk figuron asnjë lojtarë i Dritës, ish-kampiones së Kosovës dhe nënkampiones aktuale.

Drejtori sportiv i gjilanasve, Valon Zymberi në një prononcim është shprehur i zhgënjyer me mosftesën e asnjë lojtarit të Dritës.

Sipas Zymberit, lista e trajnerit zviceran është më shumë si “listë dëshirash”.

“Jashtëzakonisht jam i zhgënyer me profesionalizmin në federatë. Jam i zhgënjyer totalisht me drejtorin sportiv i cili ka edhe një pjesë të përgjegjësisë. Nëse është ky grumbullim për me i ftu shumicën e lojtarëve të Superligës me ua bë qefin, të paktën ka mundur të ketë ndonjë lojtarë prej ish-kampiones dhe nënkampiones aktual dhe prej ekipit që ka bë më së miri në garat evropiane në vitet e fundit në ligën e Kosovës. Nëse është parametri më i saktë për me pa cilët lojtarë mund të qojnë peshë të madhe janë garat evropiane e atë më së miri e ka bërë Drita. Nëse matet niveli i Kosovës me Evropë atëherë dëshmon që Drita ka pasur kualitet për të bërë histori në garat evropiane” u shpreh Zymberi të hënën.

“Mos të thirret asnjë lojtarë i Dritës, sepse më shumë po shihet që është listë qefi. Listë dëshirash, jo listë me meritë. Nëse është me merita atëherë sigurisht se është absurditet prej ish-kampionit dhe nënkampionit mos të ftohet asnjë”, shtoi ai.

Tutje, Zymberi ka shprehur gatishmërinë “t’u ndihmojë” përzgjedhësit dhe drejtorit, Muharrem Sahitit në këtë drejtim.

“Ka nevojë Challandes dhe Muharrem Sahiti me i ndihmu në këtë drejtim. Nëse e shohin vetën se nuk janë të aftë mund t’iu ndihmojë, por jo përmes mediave por përmes takimeve”, nënvizoi Valon Zymberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat