​Plepolli: Në “Fadil Vokrri” do ta kenë vështirë të na mposhtin, ja si mund të ndalet Ibra

Futboll

​Plepolli: Në “Fadil Vokrri” do ta kenë vështirë të na mposhtin, ja si mund të ndalet Ibra

Më: 21 mars 2021 Në ora: 13:03
Foto nga takimi

Dhjetëditëshi që po vjen është tejet i rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës në futboll. “Dardanët” të drejtuar nga trajneri Bernard Challandes do t’i zhvillojnë tri ndeshje, dy prej të cilave janë të vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”

Lituania vjen në “Fadill Vokrri”, më 24 mars për një ndeshje miqësore e më pas Kosova e pret Suedinë dhe i shkon Spanjës më 28 dhe 31 mars.

Analisti Arsim Plepolli, duke folur për KosovaPress, u shpreh optimist para këtyre sfidave për shkak se Kosovës i janë kthyer emra shumë të rëndësishëm të cilët do t’i japin forcë ekipit tonë.

Plepolli: Kosovës i janë kthyer lojtarët kryesorë para këtyre ndeshjeve shumë të rëndësishme

“Na gëzon fakti që tash lojtarë që nuk i kemi pasur përpara në dispozicion tani i kemi. Bëhet fjalë për top sulmuesin, Muriqin, edhe pse nuk po aktivizohet përshembull prej minutës së parë, por po ka prapë se prapë minutazh. E kemi rikthimin e Rashicës, na gëzon fakti që është kthyer edhe Rrahmani. E dimë të gjithë që është një grup mjaftë i fortë....do të luajmë me Suedinë. Tani ndoshta edhe them pak fatkeqësisht për ne që po kthehet edhe Zlatan Ibrahimovic, e kemi parë është një top sulmues, por sido që të jetë ne nuk duhet të bazohemi se kush luan prej kundërshtarëve por duhet të bazohemi në kombëtaren tonë dhe lutemi që t’i kemi të gjithë në dispozicion, të gjithë lojtarët.......Ne mendojmë që do t’ia dalim edhe pse do të jetë shumë vështirë sepse Kombëtarja e Kosovës e dimë që është e re, sidomos pa “Dardanët” është pak më e zbehtë.”, tha Plepolli.

Zbarkimi i një sulmuesi si Zlatan Ibrahimovic në stadiumin “Fadil Vokrri” padyshim se do të jetë një kërcënim shtesë për Kosovën, por Plepolli thotë se shtatlarti suedez mund të ndalet nëse e gjejmë një lojtarë korpulent për ta vendosur para tij edhe pse tërheq vëmendjen që fokusi të mos jetë vetëm tek Ibra.

Plepolli: Ibran mund ta ndalim me një lojtar korpulent, por nuk duhet fokusuar vetëm tek ai

“Po sigurisht e dimë ne që Zlatan Ibrahimovic është një top sulmues që nuk ta fal kur është para golit, është shumë i fuqishëm. Atëherë duhet ta gjejmë një lojtar korpulent por nuk duhet fokusuar vetëm në Zlatan Ibrahimovicin sepse Suedia ka lojtarë cilësorë....ata janë një grup kolektiv. E dimë që suedezët e kanë një mentalitet thuajse alla-gjerman, nuk dorëzohen asnjëherë.... Është një kombëtare shumë serioze për ta respektuar por si do që të jetë ne në stadiumin tonë “Fadil Vokrri” nganjëherë dimë të luajmë edhe lojë shumë të mira.”, tha më tutje Plepolli.

Mosftesa e Mirlind Dakut, sulmuesit në top formë të Ballkanit nga trajneri Bernard Challandez bëri zhurmë të madhe në opinionin futbolldashës në Kosovë, por Plepolli, duke folur për KosovaPress, thotë se nuk duhet të ndërhyjmë në zgjedhjet e trajnerit por se nga ai duhet kërkuar përgjegjësi për vendimet që i merr dhe rezultate të mira.

Plepolli: Nga trajneri duhet të kërkojmë rezultatet të mira dhe përgjegjësi për vendimet që i merr

“Selektorit duhet t’ia lëmë të gjitha kompetencat dhe nuk duhet t’i përzihemi në përzgjedhje sepse ne atë moment që i përzihesh në përzgjedhje apo dikush anon kë të marr e kë mos e marr atëherë selektori nuk e merr përgjegjësinë.... Por ai duhet ta di një gjë, në qoftë se nuk ka rezultate, ai duhet të shkojë prej aty. E pse nuk e ka marrë Dakun, pse nuk e ka marrë atë tjetrin, atëherë ai le të mendojë si selektor. .....Unë mendoj që ka pasur hapësirë të ftohet së paku në grumbullim, por prapë, thash përgjegjësia mbetet mbi selektorin.....Ai le të merret më të punë, ai le ta përzgjedh kë të dojë, por ne duam rezultate. Prandaj le të mendoj mirë që ne i duam rezultatet, ne nuk na intereson kush është i ftuar apo kush nuk është.”, theksoi Plepolli.

Sa i përket pritjeve që Kosova duhet t’i ketë nga këto dy ndeshje me Suedinë dhe me Spanjën, Plepolli deklaroi se përkundër se këto dy kombëtare janë favorite, ato nuk do ta kenë fare të lehtë të triumfojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Plepolli: Rivalët do ta kenë shumë të vështirë ta mposhtin Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”

“Tani të jemi real, të dy ekipet me ne janë favorite, si Suedia, si Spanja.....Futbollit asnjëherë nuk i dihet, ti mundesh me gjet përshembull mos me e gjet ditën e suedezëve apo ditën e spanjollëve por ne të jemi në top formë edhe atëherë mundemi t’i dënojmë. Unë mendoj që në “Fadil Vokrri” shumë vështirë do të na mposhtin disa ekipe.”, tha në fund Plepolli.

Përveç Spanjës dhe Suedisë, Kosova është në grup edhe me Gjeorgjinë dhe Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat