Vllaznia rikthehet te fitorja! Rikthehet dhuna

Futboll

Vllaznia rikthehet te fitorja! Rikthehet dhuna

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 16:41
Vllaznia rikthehet te fitorja! Rikthehet dhuna

Rikthehet dhuna në Kategorinë Superiore dhe gjithçka ka ndodhur në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, ku luhej sfida mes Bylisit vendas e Laçit.

Teksa takimi ishte mbërthyer në barazim pa gola, në një moment tensioni mes të dy skuadrave, ishte sulmuesi kurbinas Kyrian Nwabueze ai që goditi me grusht një nga kundërshtarët, ndërsa për pak sekonda fusha e futbollit u shndërrua në një arenë boksi, pasi u përfshinë në sherr lojtarë të të dy skuadrave, bashkë me pankinat respektive.

Arbitri u mundua të vendosë rregull, pasi ra tensioni dhe përjashtoi nga fusha e lojës sulmuesin Nwabueze e mesfushorin ballshiot Xhoi Carkanji, ndërsa vetëm pak minuta pas rifillimit të ndeshjes, ishte mbrojtësi Renato Malota që shënoi golin e avantazhit për Laçin.

Më pas rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale të arbitrit dhe Laçi mori tre pikë mjaft të rëndësishme në një transfertë të vështirë, por mund të vuajë dorën e rëndë të Komisionit të Disiplinës për incidentet që kanë ndodhur.

Në krye-ndeshjen e javës së 19, atë mes Tiranës e Kukësit në “Selman Stërmasi”, Mirel Josa i ka dhënë një leksion të hidhur nxënësit të tij Orges Shehi, duke i shkaktuar humbjen e parë që prej emërimit në pankinën bardheblu.

Verilindorët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe pas disa kërcënimesh radhazi, fituan një 11-metërsh në minutën e 15’, kur sulmuesi Gashi i vodhi kohën portierit Bekaj dhe e detyroi këtë të fundit ta ndalë me faull brenda zonës.

Nga pika e penalltisë shkoi kapiteni i Kukësit, Agim Ibraimi, i cili gjuajti saktë dhe mposhti portierin nga Prishtina, Bekaj, duke shënuar edhe golin e 10 sezonal me fanellën e klubit verilindor.

Tirana u zgjua në minutat e fundit të pjesës së parë dhe i shkoi dy herë pranë golit të barazimit, me anë të sulmuesit të talentuar Ernest Muçi, i cili në një rast gaboi në finalizim e më pas pa që shtylla t’i mohonte golin.

Pjesa e dytë ishte e vakët dhe me më pak ritëm, gjithsesi Kukësi ia doli të menaxhojë mirë avantazhin minimal dhe në minutat shtesë gjeti edhe golin e dytë, duke mposhtur kështu Tiranën 0-2 dhe duke marrë tre pikë mjaft të vlefshme në një transfertë të vështirë.

Pas tri ndeshjesh pa fitore, Vllaznia reagon mjaft mirë dhe mposht Apoloninë me rezultatin 1-0. Në një terren të rrëshqitshëm për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës në “Loro Boriçi”, shkodranët vuajtën jo pak në qarkullimin e topit, megjithatë edhe në ato pak raste të krijuara në pjesën e parë, portieri Harizaj ishte gjithmonë gati për të ndërhyrë.

Takimi u zhbllokua në pjesën e dytë, kur pas një krosimi në zonë, ishte qendërmbrojtësi Dajan Shehi që kërceu mbi të gjithë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së fierakëve, ndërsa deri në fund të ndeshjes të dy skuadrat patën mundësi shënimi, por nuk i shfrytëzuan, duke bërë që tre pikët të mbeten në Shkodër.

Merr një tjetër fitore edhe Partizani, këtë herë me rezultatin e pastër 0-3 në transfertën e vështirë ndaj Kastriotit në Kamëz. Pas një pjese të parë pa gola, të kuqtë gjetën avantazhin me anë të blerjes së janarit Stenio Junior, në minutën e 65-të të ndeshjes.

Vetëm një minutë më vonë në fushë zbriti edhe blerja më e bujshme e Partizanit, Ferhan Hasani, i cili debutoi me gol, pasi shënoi në minutën e 78’, duke shfrytëzuar një asist të Jasir Asanit, ndërsa më pas ishte braziliani Cardozo që mbylli llogaritë e ndeshjes, duke shënuar edhe golin e tretë.
Pas javës së 19 të Kategorisë Superiore, Vllaznia ruan kryesimin tashmë në kuotën e 40 pikëve, 6 më shumë se Partizani i vendit të dytë, ndërsa renditja mbyllet nga Bylis e Skënderbeu, që mbeten në vendin e fundit me 12 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat