Në presion

Futboll

Në presion

Më: 31 janar 2021 Në ora: 20:39
Në presion

Tomas Myler nuk është pjesë e skuadrës gjermane që nga prilli i 2019-ës. Mesfushori i Bajernit, së bashku me Zherom Boateng dhe Mats Humels u përjashtuan nga skuadra pasi trajneri Joakim Lëv nuk besoi më tek ata. Edhe pse të tre ish-kampionët e botës vazhdojnë të shkëlqejnë me klubet e tyre, Lëv po i bën llogaritë pa ta. Ndërkohë, sipas “Sport 1”, në Gjermani Lëv mund të ndryshojë mendim vetëm për njërin nga tre lojtarët, Tomas Mylerin.

Mbreti i asisteve në sezonin e fundit me Bajernin është duke shkëlqyer në Mynih dhe ka një vend fiks në formacionin e parë të Hansi Flikut. Opinioni sportiv gjerman është kundër vendimit të trajnerit Lëv për të mos e grumbulluar sërish Mylerin.

Lotar Mateus e ka kritikuar publikisht 61-vjeçarin duke thënë: “Myler është një lojtar që do të ndihmonte shumë skuadrën kombëtare. Me të Gjermania ka fituar Kupën e Botës. Të gjithë menduam në fillim se Tomas, Mats dhe Zherom ishin e keqja e Gjermanisë, por jo, ishim gabim. Nëse në ndeshjen me Spanjën këta lojtarë do të ishin në fushën e lojës, atëherë nuk do të kishim një rezultat aq të thellë”, shprehej Mateus.

Edhe ish-presidenti i Bajernit, Uli Hënes, u shpreh se Myler e ka vendin në kombëtare. Madje, ai ishte i bindur që Lëv do të ndërrojë mendje dhe do ta grumbullojë për në Europianin e verës. “Mendoj që është thjesht çështje kohe, përpara se Jogi të thërrasë sërish Tomasin në skuadër. Ai e njeh shumë mirë atë dhe jam i bindur që ndeshjet e mira që ka zhvilluar Myler me ne, nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga ai (Lëv)”.

Nëse Myler do të jetë pjesë e kombëtares gjermane në të ardhmen, kjo do të shihet në mars, atëherë kur janë planifikuar të luhen edhe ndeshjet e para miqësore të vitit 2021 për skuadrën e kombëtares gjermane. Për momentin lista e lojtarëve të dëmtuar është e konsiderueshme, çka do të thoshte një shans më shumë për mesfushorin 31-vjeçar të Bajernit të Mynihut për ta veshur edhe një herë fanellën e “Pancerave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat