Largohet nga Shkodra

Futboll

Largohet nga Shkodra

Më: 23 janar 2021 Në ora: 11:37
Largohet nga Shkodra

Ish mesfushori i Shpresave të Shqipërisë, Klodian Gjino nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, ndonëse kishte arritur një marrëveshje me shkodranët dhe i ishte bashkuar skuadrës dy ditë më parë.

Kushtet e cilësuara si të tepruara në lidhje me akomodimin nga ana e mesfushorit 26-vjeçar, por edhe mosmarrëveshje të tjera kanë bërë që Gjino të largohet nga Shkodra, ndërsa edhe Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati e pranoi dështimin e marrëveshjes.

Ndërkohë dje në stërvitje nën urdhrat e trajnerit gjerman Thomas Brdariç ka dalë edhe 23-vjeçari nga Togo, Kodjo Elom Nya-Vedji, i cili ka arritur një marrëveshje paraprake me drejtuesit dhe prezantimi zyrtar mund të vijë që ditën e sotme.

Togolezi Nya-Vedji është një lojtar krahu tipik, që mund të luajë si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e ekipit malazez të Zetës, ku edhe ka shënuar 3 gola në 17 ndeshje të luajtura.

Me merkaton që mbyllet pas 8 ditësh, drejtuesit e Vllaznisë vijojnë punën për të gjetur një shkatërrues, pasi momentalisht kanë vetëm Ardit Krymin në atë pozicion, i cili ka përballuar i vetëm ngarkesën e sezonit.

Edhe vetë trajneri Brdariç ka kërkuar me ngulm pikërisht një shkatërrues dhe fillimisht u duk e do të ishte Gjino futbollisti i duhur, por largimi i beratasit ka bërë që drejtuesit të vihen në kërkim të një tjetër futbollisti për atë repart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat