Vëllezërit nga Kosova, që dikur e bënin telashe një ish Jugosllavi

Futboll

Vëllezërit nga Kosova, që dikur e bënin telashe një ish Jugosllavi

Nga: Kemajl Goca Më: 1 janar 2021 Në ora: 19:54
Fadili - majtas dhe Xhevdeti është djathtas

Vitet e 80-ta, vitet kur vlonte stadiumi i Prishtinës, herë 30 mijë e herë 40 mijë shikues. 

Jehonte kënga e famshme: Besa – besë për Prishtinën... Vitet që nuk përsëriten, Prishtina e gjeneratës së artë, gjunjëzonte Cërvena Zvezdën e Beogradit, Partizanin e Beogradit, Hajdukun e Splitit, Dinamon e Zagrebit, Velezhin e Mostarit,  Sarajevën etj.

Edhe sot kur përmenden emrat e vëllezërve Fadil dhe Xhevdet Muriqi, dashamirët e vjetër të kësaj loje, përnjëherë i kaplojnë emocionet dhe në kujtim të asaj gjenerate, që dridhi shumë klube të njohura ish jugosllave. 

Fadil Muriqi ka qenë prej mesfushorëve më të mirë që ka pasur Kosova në historinë e saj apo Maradona i Kosovës. 

Xhevdet Muriqi, mbrojtës i fuqishëm dhe disa herë “përvëloi” me gola. Xhevdet Muriqi, si sot iu kujtohet dashamirëve të futbollit, si i ri, si debutues, kur ka shënuar dy gola për fitoren e Prishtinës me rezultat 2:0 ndaj Dinamos së Zagrebit pikërisht me 2 shtator të vitit 1984, në kuadër të javës së tretë të elitës së futbollit ish Jugosllav.

Golat e tij krijuan atmosferë braziliane, gati sa i doli flaka stadiumit të Prishtinës, mbi 35 mijë shikues: Muriqi, Muriqi, Muriqi. 

Duhet kujtuar edhe një moment të Fadil Muriqit të madh, het-trikun e tij me 30 mars të vitit 1986 (java e 22-të). Prishtina e mposhti me rezultat 3:2 Velezhin e Mostarit, ku në stadiumin e kryeqytetit ishin mbi 30 mijë shikues. Muriqi kishte luajtur si macja me miun me portierin Petranoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat