Hasi: Kosova e ka grupin më të vështirë se sa Shqipëria

Futboll

Hasi: Kosova e ka grupin më të vështirë se sa Shqipëria

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 14:09
Hasi: Kosova e ka grupin më të vështirë se sa Shqipëria

Trajneri i mirënjohur Besnik Hasi, ka analizuar grupin e Kosovës dhe Shqipërisë për kualifikimet e Kampionatit Botëror Katar 2022.

Ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë dhe disa herë i Kosovës në takimet miqësore para pranimit në UEFA e FIFA, ka thënë se grupi i Kosovës është më i vështirë se sa ai i Shqipërisë.

Kosova ndodhet në grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, ndërsa Shqipëria me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

Besniku është trajner në Al Raed të Arabisë Saudite.

“Me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, Kosova e ka edhe më të vështirë se sa Shqipëria, sepse, problemi nuk është tek grupi, por tek pritshmëria”, ka thënë Hasi në intervistën për “Panorama Sport” të Shqipërisë.

Kosova e humbi mundësinë të kualifikohej në evropian përmes Ligës së Kombeve, për çka për Hasin me prejardhje nga Gjakova, pritshmëritë ishin për kualifikim. Ai veçon sulmuesin e ‘Dardanëve’ Vedat Muriqi.

“Pa mungesa në Ligën e Kombeve, Kosovën e shihja të kualifikuar. Tani, çdokush pret më tepër nga Kosova. Edhe ndaj meje këtu me ekipin, nuk presin më justifikime, por duan më shumë dhe kaq. Kosova ka një sulmues (Vedat Muriqi), që Shqipërisë i mungon dhe kualitetin kryesor e ka përpara. Janë të rinj dhe të gjithë do rriten në lojë”.

Hasi është pyetur edhe nëse do të jetë pengesë ose motivim për lojtarët tanë të luajnë ndaj Spanjës, Gjeorgjisë dhe Greqisë, shkaku që këto vende nuk e njohin shtetin e Kosovës.

“100 për qind do të jetë motivim. Lojtarët e Kosovës e kanë motivin për vendin, sepse kanë vuajtur shumë. Kjo gjë do t’i motivojë shumë, aspak çorientim”, shtoi Hasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat