Vidal i dëmtuar, Barella në dyshim, Conte i detyruar të aktivizojë Eriksen

Futboll

Vidal i dëmtuar, Barella në dyshim, Conte i detyruar të aktivizojë Eriksen

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 15:10
Vidal i dëmtuar, Barella në dyshim, Conte i detyruar të aktivizojë Eriksen

Interi do të luajë nesër një finale të parakohshme në Ligën e Kampionëve, pasi do të përballet me ukrainasit e Shakhtar Donetsk në ndeshjen e fundit të grupit, që është njëkohësisht edhe përcaktuesja për ecurinë e zikaltërve në këtë kompeticion.

Zikaltrit e Antonio Contes janë të dënuar të fitojnë ndaj ukrainasve, por edhe ky rezultat mund të mos mjaftojë nëse Realit dhe Borussia Monchengladbach ndahen në barazim, ndërsa tekniku i Interit po përballet me telashe në mesin e fushës.

Kështu Arturo Vidal nuk do të jetë në dispozicion të zikaltërve për këtë ndeshje, ndërsa në dyshim të fortë është edhe mesfushori tjetër Nicolo Barella, por për këtë të fundit Conte pritet të vendosë vetëm pak para ndeshjes.

Aktualisht Conte ka plotësisht të gatshëm Marcelo Brozovic, Roberto Gagliardinin dhe Christian Eriksen, ndaj nëse Barella nuk ia del, atëherë do të jetë radha e danezit që të zbresë në fushë në ndeshjen më të rëndësishme deri në këtë pikë të sezonit.

Një ironi e fatit kjo për Antonio Conten, që vetëm të shtunën e poshtëroi jo pak danezin, duke e aktivizuar vetëm në minutat shtesë ndaj Bolognës, ndërsa të mërkurën mund të ketë nevojë për një ndeshje perfekte nga ana e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat