Mike Pence arrin në Podgoricë

Evropë

Mike Pence arrin në Podgoricë

Më: 1 gusht 2017 Në ora: 13:27
Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence

(E plotësuar) - Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, sot pasdite ka arritur në Podgoricë, për vizitë dyditëshe, me ç’rast do të takohet me zyrtarët më të lartë të Malit të Zi dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Kartës Adriatiku – Shtetet e Bashkuara.

Për këtë vizitë janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë. Një orë para arritjes së tij në Podgoricë, në aeroportin e këtij qyteti nuk kanë ateruar aeroplanët.

Zotin Pence në aeroportin e Podgoricës e ka pritur kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Për raportimin nga vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Mal të Zi, janë akredituar më se 150 gazetarë.

Mali i Zi gati për vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i shoqëruar nga bashkëshortja Karen, pritet të aterojnë në Aeroportin e Podgoricës rreth orës 18:00, ku do të priten nga kryeministri malazez, Dushko Markoviq.

Në mbrëmje, kryeministri Markoviq do të shtrojë një darkë solemne për zëvendëspresidentin Pence, ku do të marrin pjesë dhe kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryetari i Kuvendit, Ivan Brajoviq.

Takimi zyrtar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan dhe kryeministrit malazez është planifikuar për të mërkurën, kur do të zhvillohet edhe Samiti i liderëve të vendeve të rajonit në kuadër të Kartës Amerikane të Adriatikut. Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon.

Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi janë ftuar të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, ai i Sllovenisë Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq si dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Nga kabineti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është konfirmuar se gjatë qëndrimit në Podgoricë, ai do të takojë zëvendëspresidentin Pence.

“Ky takim do të zhvillohet në Podgoricë, në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter’ (Kartës SHBA-Adriatik), të mërkurën më 2 gusht dhe organizohet nën patronazhin e Maqedonisë dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin nga kabineti i Thaçit.

Presidenti i Kosovës, vijon njoftimi, do të kërkojë nga zëvendëspresidenti Pence përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovendia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit. Pas samitit, është paralajmëruar që zëvendëspresidenti Pence do t’i takojë edhe liderët e vendeve të rajonit.

Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s.

Autoritetet e Malit të Zi e kanë cilësuar vizitën e Mike Pence si historike dhe shumë të rëndësishme për këtë vend dhe për orientimin pro-perëndimor të shtetit malazez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat