LIVE: Bien sërish kambanat e luftës, Rusia “ia kalon topin” Bjellorusisë - trupat e Lukashenkos zbarkojnë në kufi me këtë shtet

Evropë

LIVE: Bien sërish kambanat e luftës, Rusia “ia kalon topin” Bjellorusisë - trupat e Lukashenkos zbarkojnë në kufi me këtë shtet

Nga: Bota sot Më: 3 prill 2024 Në ora: 06:20 Përditësuar në ora: 23:24 më 03.04.2024
Ukrainë

Finlanda nënshkruan pakt 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën

Finlanda e ka nënshkruar të mërkurën një pakt 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën, të cilës do t’i dërgojë ndihmë shtesë ushtarake në vlerë 188 milionë euro, tha presidenti finlandez Alexander Stubb, pas një takimi në Kiev me homologun e vet ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pakti përfshin bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe përkrahje afatgjate, përfshirë mbështetje të sigurisë dhe mbrojtjes për Ukrainën kundër pushtimit tashmë dyvjeçar rus, tha zyra e Stubbit.

“Marrëveshja 10-vjeçare është dëshmi e përkushtimit afatgjatë të Finlandës për ta mbështetur Ukrainën”, tha zyra e tij në një komunikatë.

Finlanda do t’ia ofrojë Ukrainës edhe një pako tjetër me mjete mbrojtëse, mes tjerash edhe mjete të mbrojtjes ajrore dhe municion të kalibrit të lartë, tha Stubb në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn në kryeqytetin ukrainas.

Ai theksoi se pakoja e re do ta çojë në 2 miliardë euro shumën e përgjithshme të ndihmës ushtarake që Finlanda ia ka dhënë Ukrainës prej vitit 2022.

“Ne nuk po e japim këtë ndihmë ushtarake vetëm që Ukraina ta mbrojë veten, por po e japim këtë ndihmë ushtarake që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.

Ukraina varet shumë nga sistemet mbrojtëse ajrore të Perëndimit në luftën kundër armikut të vet superior dhe ka kohë që u bënë trysni partnerëve të vet ndërkombëtarë për armatim më të madh për t’i frenuar sulmet e mëdha ajrore ruse në qytetet e veta dhe në rrjetin energjetik.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të mërkurën se partnerët e Kievit nuk po ofrojnë mjaftueshëm mjete për mbrojtje ajrore për t’u mbrojtur kundër raketave ruse, edhe pse ato i kanë më shumë se 100 sisteme mbrojtëse ajrore, Patriot, në arsenalin e vet.

Finlanda është duke e bërë gati edhe një plan katërvjeçar për ta mbështetur Ukrainën me një buxhet për zhvillim dhe rindërtim, në vlerë 290 milionë euro, tha zyra e Zelenskyt.

Finlanda ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë me Rusinë dhe iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak për ta forcuar mbrojtjen kundër çfarëdo kërcënimi të mundshëm nga fqinji i vet gjigant.

Kambanat e luftës po bien sërish në Evropë, Rusia “ia kalon topin” Bjellorusisë, trupat e Lukashenkos zbarkojnë në kufirin me Poloninë, ja çfarë fshihet pas lëvizjes së rrezikshme të besnikut të Putinit

Nuk është sekret se Bjellorusia dhe diktatori i saj Alexander Lukashenko “mbahen gjallë” nga regjimi rus dhe presidenti Vladimir Putin. Vendi financohet dhe mbahet në këmbë nga Moska, ndërkohë që në të njëjtën kohë është në një rrugë përplasjeje me Bashkimin Evropian. Pazari faustian i Aleksandër Lukashenkos me Vladimir Putinin pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, e ka bërë Bjellorusinë “të ngecë” në një post të thjeshtë garnizoni dhe një bashkëluftëtari të pavullnetshëm të “vëllait të madh”, Rusisë në këtë luftë. I zhytur prej kohësh në famën e të qenit "diktatori i fundit i Evropës", presidenti karikaturist bjellorus tani duket se është i gatshëm madje të marrë përsipër rreziqe të mëdha, duke kërcënuar haptazi Evropën. Ditët e fundit “kambanat e alarmit” po bien në Evropën Lindore, ku Bjellorusia ka nisur stërvitjet ushtarake pranë kufijve të Polonisë, Lituanisë dhe Ukrainës. Aleksandër Lukashenko ka deklaruar ndërkohë se Minsku po përgatitet për luftë. “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”, tha presidenti bjellorus, duke shtuar se Bjellorusia “nuk ka nevojë të kërcënojë askënd”.

Stërvitjet e Bjellorusisë

Manovrat e paralajmëruara nga Bjellorusia do të vazhdojnë për tre ditë dhe do të përfshijnë rajonet Gomel dhe Grodno. Qëllimi i tyre deklarohet se është thjesht të trajnojnë oficerët dhe trupat e mbrojtjes territoriale se si të mbrojnë fushat e tyre përkatëse të ekspertizës. Ushtarët e përfshirë do të mësojnë gjithashtu procedurën që do të duhet të ndjekin nëse në vend vendoset ligji ushtarak. "Një stërvitje komanduese dhe shtabi po zhvillohet me brigadën 336 të artilerisë reaktive si pjesë e forcimit të kontrollit të gatishmërisë luftarake të formacioneve ushtarake dhe njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë," tha Ministria e Mbrojtjes e Minskut. Stërvitjet në fjalë zhvillohen nën mbikëqyrjen e kreut të trupave raketore dhe artilerisë së Forcave të Armatosura. Marrëdhëniet e Bjellorusisë me vendet perëndimore janë përkeqësuar vitet e fundit, veçanërisht pasi vendi lejoi Rusinë të përdorte territorin e saj për të nisur një sulm ndaj Kievit.

Kërcënimet e Lukashenkos

Në shkurt 2023, Lukashenko tha se autoritetet bjelloruse do të ishin gati të ofronin territorin e tyre për një ofensivë të re të mundshme nga trupat ruse në Ukrainë dhe paralajmëroi për gatishmërinë e tyre për t'u përfshirë në një konflikt. Gjithashtu në vitin 2023, Rusia dhe Bjellorusia kishin rënë dakord të vendosnin armë bërthamore taktike ruse në tokën bjelloruse. Vladimir Putin e kishte bërë të qartë se kjo lëvizje nuk do të shkelte Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Javën e kaluar, Lituania, shtetet baltike të Bashkimit Evropian dhe NATO protestuan kundër deklaratave të Lukashenkos, i cili kishte folur për një sulm të mundshëm ushtarak kundër vendeve fqinje. Një video e shpërndarë në Telegram e tregoi atë duke folur se si ushtria bjelloruse do të ishte gati të sulmonte pjesë të Polonisë ose Lituanisë nëse ishte e nevojshme. Në qendër të vëmendjes është Korridori Suwalki i cili kalon midis dy shteteve të BE-së dhe NATO-s që kufizojnë enklavën ruse të Detit Baltik të Kaliningradit dhe Bjellorusisë.

BE në gatishmëri

Deklaratat e Lukashenkos aludonin për paqëndrueshmërinë e korridorit të përmendur Suwalki dhe përmbanin udhëzime për të organizuar një përplasje të mundshme me shtetet baltike dhe Poloninë.Zëdhënësi i Politikës së Jashtme të BE-së, Peter Stano, u përgjigj në mënyrë emblematike: "Bashkimi Evropian përbën një kërcënim vetëm për ata që përçmojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e qytetarëve dhe respektimin e rregullave dhe ligjit ndërkombëtar në marrëdhëniet ndërkombëtare. BE nuk është një aleancë agresive. Jo. Duhet t'i kesh frikë, vetëm ata që kërkojnë të minojnë respektin për rregullat ndërkombëtare dhe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut." “Ne po punojmë për ta bërë Evropën të gatshme për t'u përballur me të gjitha kërcënimet që vijnë nga njerëz si Lukashenko", shtoi ai.

Moska ndërron komandantët e Marinës ruse

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka bërë ndryshime në komandën e flotës. Admirali Alexender Moiseev është emëruar komandant i Marinës.

Pasi ai mori këtë detyrë, postin paraprak që ai mbante, përkatësisht të udhëheqjes së flotës veriore, iu dha zëvendësadmiralit Konstantin Kabantsov. Ndërkaq, udhëheqja e flotës së Detit të Zi iu besua ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, zëvendësadmiralit, Sergei Pinchuk.

Gazetarët dhe blogerët ushtarakë veçse kishin raportuar për disa nga këto ndryshime. Më 2 prill, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, njoftoi për dekretin e nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me ndryshimet.

Ndryshimet në komandë u bënë në kohën kur Rusia është përballur me dështime në flotën e Detit të Zi në luftën kundër Ukrainës.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, forcat e Kievit kanë arritur të fundosin anijet kyçe të Marinës ruse, sikurse luftanijet Moska dhe Sergei Kotov, e të tjera. Disa anije të tjera janë dëmtuar.

Shumica e anijeve të Marinës ruse, që gjendeshin në bazën në Sevastopol të Krimesë të aneksuar paligjshëm nga Moska, janë zhvendosur n Novorusia. Ukraina sulmon flotën ruse me dronë detarë dhe raketa lundruese dhe ka pretenduar se deri më tani ka shkatërruar një të tretën e anijeve të Marinës së Rusisë.

Salla Crocus raportohet të jetë përmendur në paralajmërimin amerikan

Paralajmërimi i inteligjencës amerikane ndaj Moskës dy javë para sulmit vdekjeprurës terrorist të 22 marsit përfshiu edhe referencë specifike për sallën e koncerteve Crocus, që u shënjestrua, raportoi The Washington Post më 2 prill.

Sipas raportimit, që më pas u konfirmua nga New York Times, zyrtarët amerikanë i thanë Moskës se Shteti Islamik po planifikonte një sulm dhe se salla e koncerteve Crocus ishte një cak i mundshëm. Në paralajmërim nuk u përfshin specifika të tjera apo koha e sulmit, por u tha se sulmi mund të kryejë brenda ditësh, thanë burime të inteligjencës për dy gazetat amerikane.

Katër sulmues të armatosur sulmuan sallën Crocus, që gjendet në periferi të Moskës, pak para se të niste një koncert, duke vrarë 144 persona. Ky ishte sulmi terrorist më vdekjeprurës në Rusi që nga viti 2004. Shteti Islamik i shpallur grup terrorist, menjëherë mori përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e komentatorë të tjerë rusë kanë pretenduar, pa ofruar dëshmi, se Ukraina mund të ketë luajtur një rol në sulm. Zyrtarët ukrainas kanë mohuar çdo përfshirje dhe kanë akuzuar Moskën se po përdor tragjedinë për të intensifikuar luftën e saj kundër Kievit.

Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme, SVR, tha për Interfaxin më 2 prill se paralajmërimet amerikane ishin “shumë të përgjithshme” për t’i mundësuar Rusisë që të parandalonte sulmin.

Po të njëjtën ditë, Putin tha se organizatorët e sulmit në Crocus dëshironin “të mbillnin fara të mospajtimit dhe panikut... në shtetin tonë dhe ta mposhtin Rusinë nga brenda”. Paraprakisht, ai kishte akuzuar SHBA-në dhe shtetet e tjera perëndimore se kanë qëllime të ngjashme. Ai u bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të identifikojnë “përfituesit kryesorë kriminalë” të këtij sulmi.

Sulmi në Crocus është një dështim i madh i forcave të sigurisë së Rusisë, që kritikët thonë se janë të përqendruara në shtypjen e mospajtimit politikë brenda vendit dhe kundërshtimit të luftës kundër Ukrainës, shpesh duke i cilësuar opinionet politike si “terrorizëm” dhe “ekstremizëm”.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë më 3 prill tha se rekrutimi ushtarak është rritur ndjeshëm që nga sulmi, me 16.000 persona që raportohet se kanë nënshkruar kontrata ushtarake në dhjetë ditët paraprake.

“Shumica e kandidatëve kanë shprehur dëshirën për hakmarrje për viktimat e tragjedisë... si motivin kryesor për të nënshkruar një kontratë”, u tha në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Njeriu më i pasur në Rusi nuk është Putin, “Forbes” publikon listën

Rusët më të pasur e rritën pasurinë e tyre me 72 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe arritën një total 577 miliardë dollarë, siç njoftoi “Forbes”, ndërsa Vagit Alekperov, ish-presidenti i kompanisë së naftës Lukoil, tani është njeriu më i pasur në Rusi. “Forbes” vlerësoi pasurinë totale të miliarderëve rusë në 606 miliardë dollarë në vitin 2021, përpara pushtimit të Ukrainës.

Çmimet e larta të mallrave gjatë dy viteve të fundit dhe rritja ekonomike e Rusisë e përqendruar në luftë, duke zbutur ndikimin e sanksioneve perëndimore, kanë ndihmuar rimëkëmbjen.

Shumë miliarderë rusë janë bërë objektiva të sanksioneve perëndimore, pasi Perëndimi u përpoq të ndëshkonte Presidentin Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë për luftën në Ukrainë. Pasuria e tyre totale ra në 353 miliardë dollarë në vitin 2022. Pasuria e Alekperov u rrit nga 20.5 miliardë dollarë në 28.6 miliardë dollarë në vitin 2023, raportoi Forbes. Ai zuri vendin e parë në Rusi nga Andrey Melnychenko i renditur tashmë në vendin e shtatë, dhe vlera e të cilit ra nga 25.2 miliardë dollarë në 21.1 miliardë dollarë.

Leonid Mikhelson, kreu i prodhuesit rus të gazit natyror Novatek, u rendit i dyti në “Forbes”. Pasuria e tij u rrit me 5.8 miliardë dollarë në një total prej 27.4 miliardë dollarësh. “Forbes” njoftoi se ka më së shumti miliarderë në botë deri më tani, 2781. 20 të parët në listë mbajnë pjesën më të madhe të pasurisë dhe Alekperov tani është i 59-ti në botë. Vladimir Putin është mburrur vazhdimisht se sanksionet perëndimore kanë dështuar të shkatërrojnë ekonominë ruse dhe vuri në dukje se ekonomia ruse u rrit më shpejt vitin e kaluar, me një rritje të PBB-së prej 3.6 për qind.

Ukraina godet me dron rafinerinë e tretë më të madhe të Rusisë

Një dron ukrainas goditi të martën rafinerinë e tretë më të madhe të naftës në Rusi, rreth 1,300 km nga vija e frontit, duke goditur një njësi që përpunon rreth 155,000 fuçi naftë bruto në ditë, megjithëse nuk shkaktoi dëme kritike.

Një burim i inteligjencës ukrainase deklaroi se Ukraina goditi njësinë primare të rafinimit në rafinerinë e naftës në rajonin shumë të industrializuar të Tatarstanit të Rusisë dhe shkaktoi një zjarr.

Sulmet e tilla synojnë të reduktojnë të ardhurat e naftës së Rusisë.

Zyrtarët rusë thanë se pajisjet bllokuese u mbyllën në një dron ukrainas pranë Tatneft, e cila ka një kapacitet prodhimi vjetor prej më shumë se 340,000 fuçi në ditë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se droni goditi njësinë parësore të rafinimit, CDU-7, megjithëse nuk dukej se kishte shkaktuar dëme serioze.

Franca i premton Ukrainës ‘qindra’ automjete të vjetra të blinduara

Franca do të furnizojë Ukrainën me raketa shtesë tokë-ajër dhe qindra automjete të blinduara nga rezervat e saj, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu. Dërgesat e materialeve, disa prej të cilave janë mbi 40 vjeçare, do të fillojnë këtë verë.

Duke folur për gazetën La Tribune Dimanche, Lecornu tha se ai ishte udhëzuar nga presidenti francez Emmanuel Macron të dilte me një “paketë të re ndihme” për të ndihmuar përpjekjet e Kievit në luftën kundër Rusisë.

Furnizimet do të përfshijnë pajisje që janë përdorur më parë nga ushtria franceze, por “që janë ende funksionale”, si dhe një “grumë të re raketash Aster 30” që janë projektuar për të kapur dronët, dhe raketa lundrimi me rreze veprimi prej 120 km.

“Për të mbajtur një vijë fronti kaq të gjatë, ushtrisë ukrainase i duhen, për shembull, mjetet tona të blinduara, kjo është absolutisht thelbësore për lëvizshmërinë e trupave dhe është pjesë e kërkesave të Ukrainës”, tha ministri.

“Po flasim me qindra për vitin 2024 dhe fillimin e vitit 2025”, sqaroi ai, i pyetur për afatin kohor, duke shtuar se i kishte kërkuar agjencisë qeveritare të prokurimit të mbrojtjes që të përshpejtonte prodhimin e raketave Aster.

Ushtria franceze aktualisht po kërkon të zëvendësojë mijëra transportues personeli të blinduar VAB (Véhicule de l’Avant Blindé) të cilat hynë në shërbim rreth 45 vjet më parë me lloje më të reja APC.

Në shkurt, Macron nënshkroi një pakt të ri sigurie me presidentin ukrainas Vladimir Zelensky, duke premtuar 3 miliardë euro ndihmë ushtarake për Kievin vetëm për vitin 2024.

Megjithatë, marrëveshja dypalëshe e sigurisë është kthyer në një “dhimbje koke buxhetore dhe politike” për qeverinë dhe është “jashtëzakonisht e paqartë” se si do të materializohet premtimi duke pasur parasysh rezistencën publike ndaj shkurtimeve të shpenzimeve dhe ndihmës së mëtejshme për Kievin, raportoi së fundi Le Monde.

Gazeta sugjeroi se për të siguruar 3 miliardë euro, autoritetet franceze do të duhet të “luajnë me dokumentet” ose të fryjnë vlerën e pajisjeve të përdorura të dhuruara në Kiev.

Macron ka deklaruar më parë se Perëndimi “do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar që Rusia të fitojë këtë luftë”.

Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se dërgesat e armëve në Kiev nga aleatët perëndimorë nuk do të ndryshojnë rrjedhën e operacionit të saj ushtarak, por vetëm do të rrisin rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Ukraina ul moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një projekt-ligj që parashikon uljen e moshës së personave të kualifikuar për mobilizim nga 27 në 25 vjeç, njoftoi shërbimi për shtyp i parlamentit.

Projektligji u miratua nga parlamenti në maj 2023.

Legjislacioni i ri parashikon që burrat ukrainas pa përvojë paraprake luftarake mund të regjistrohen për t’u bashkuar me forcat e armatosura kur të kenë mbushur moshën 25 vjeç.

Më vonë këtë muaj, parlamenti ukrainas do të votojë një projekt-ligj të veçantë, i cili gjithashtu pritet të forcojë rregullat e mobilizimit në vend.

Më herët, autoritetet ukrainase kanë shprehur planet për të mobilizuar midis 450,000 dhe 500,000 njerëz për të marrë pjesë në konfliktin me Rusinë.

NATO planifikon 100 miliardë euro fond mbështetjeje ushtarake për Ukrainën

NATO po planifikon mbështetje ushtarake për Ukrainën me vlerë 100 miliardë euro (108 miliardë dollarë) gjatë pesë viteve të ardhshme, thanë për DPA diplomatë të shumtë.

I propozuar nga sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg , fondi do të debatohet në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s sot. Një vendim përfundimtar pritet në samitin e aleancës në Uashington në korrik. NATO po kërkon mënyra të reja për të mbështetur Ukrainën kundër pushtimit rus në shkallë të plotë , me paralajmërimin e Kievit për mungesat e municioneve që pengojnë mbrojtjen e tyre.

Paketa prej 100 miliardë eurosh synon gjithashtu të shpërndajë barrën e mbështetjes për Ukrainën midis aleancës. Anëtarët e aleancës lindore , Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, për shembull, po japin kontribute më të mëdha në lidhje me ekonominë e tyre sesa vendet e tjera. Detaje të mëtejshme për t’u rënë dakord përfshijnë nëse premtimet e mëparshme të ndihmës ushtarake për Ukrainën duhet të përfshihen në fondin e NATO-s.

Një pjesë e dytë e planeve të aleancës për të mbështetur Ukrainën afatgjatë kundër Rusisë përfshin një mision të ri të NATO-s për të koordinuar dërgesat e ndihmës ushtarake dhe trajnimin për ushtrinë ukrainase. Deri më tani, SHBA-ja ka marrë rolin kryesor të koordinimit të dërgesave të armëve në Ukrainë përmes një organi të njohur si Grupi i Kontaktit të Ukrainës.

Sipas diplomatëve, qëllimi i misionit, nëse miratohet nga aleatët e NATO-s, është të bëjë mbështetjen e Ukrainës më pak të varur nga zhvillimet politike në vendet individuale të NATO-s dhe të përhapë më shumë përgjegjësi mes aleancës. Kjo lidhet me shqetësimet rreth rizgjedhjes së mundshme të ish-presidentit amerikan Donald Trump .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat