LIVE: Ushtria e Putinit nuk ndalet, vjen paralajmërimi i fuqishëm: Rrezik nga Lufta e Tretë Botërore nëse…!

Evropë

LIVE: Ushtria e Putinit nuk ndalet, vjen paralajmërimi i fuqishëm: Rrezik nga Lufta e Tretë Botërore nëse…!

Nga: Bota sot Më: 15 mars 2024 Në ora: 08:55 Përditësuar në ora: 09:54 më 15.03.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Dy të vdekur nga sulmet ruse në rajonet ukrainase

Së paku dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet e reja raketore dhe me dronë që Rusia i kreu në disa rajone ukrainase të premten, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë. Rusia, ndërkohë, tha se rajoni i vet kufitar, Belgorod, u sulmua përsëri nga dronët dhe raketat ukrainase.

Një dron rus e goditi një ndërtesë banimi në Vinitsia, kryeqytetin e rajonit në perëndim të Ukrainës, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur katër të tjerë, tha guvernatori rajonal, Serhiy Borzov, në Telegram.

Më vonë, ai tha se një grua vdiq në spital si pasojë e plagëve të marra nga ky sulm.

Kievi tha se Moska i sulmoi shtatë rajone ukrainase me 27 dronë të llojit “Shahed” dhe me tetë raketa mëngjesin e së premtes.

“Të gjithë 27 dronët u rrëzuan mbi rajonet Kirovohard, Mikolaiv, Herson, Hmelnitski, Vinitsia dhe Kiev”, tha ushtria ukrainase në një komunikatë.

Ushtria ukrainase nuk tregoi nëse i ka rrëzuar edhe raketat ruse.

Ajo tha gjithashtu se forcat ukrainase u angazhuan në 76 beteja nga afërsia në 24 orët e fundit në zonat e rajonit lindor Donjeck, Novopavlivka, Avdivka dhe Liman.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina e sulmoi rajonin e saj kufitar, Belgorod, përsëri të premten, duke i hedhur mbi të shtatë raketa “Vampir”, të cilat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes raketore ruse.

Ajo nuk tregoi nëse ka pasur viktima apo dëme nga këto sulme.

Kanali Baza në Telegram e postoi një video ku shihet një veturë duke u djegur në një rrugë në kryeqytetin rajonal, Belgorod, i cili është duke u sulmuar nga Ukraina në tri ditët e fundit.

Aleksei Kulemzin, kryetari i emëruar nga Moska në qytetin e okupuar nga Rusia, Donjeck, tha në Telegram se tre fëmijë u vranë nga bombardimet ukrainase të premten.

Pretendimet e tij nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Scholz, Macron dhe Tusk takohen sot për të biseduar për Ukrainën

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të takohet sot në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kryeministrin polak, Donald Tusk.

Takimi i tyre vjen në një kohë kur janë duke u rritur dallimet mes Gjermanisë dhe Francës në politikën e tyre për Ukrainën.

Scholz pritet të takohet me Macronin të premten në mesditë.

Dy liderët do ta takojnë pastaj së bashku kryeministrin polak Tusk.

Ky do të jetë takimi i parë i Trekëndëshit të Vajmarit në nivel të lartë prej qershorit të vitit të kaluar.

Bisedimet mes tyre do të mbahen gati tri javë pas takimit të rreth 20 liderëve qeveritarë në Paris, ku u diskutua lufta në Ukrainë. Konferenca e tyre mbaroi me qëndrime të ndara për mundësinë e dërgimit të trupave në zonën e luftës.

Trekëndëshi i Vajmarit u themelua në gusht 1991 nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski, në Vajmarit, në Gjermani.

Ky grup ka filluar të takohet më shpesh prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para pak më shumë se dy vjetëve.

Të enjten, Macroni përsëri u bëri thirrje fuqive perëndimore të mos tregojnë shenja dobësie kundër Rusisë, si dhe e përsëriti qëndrimin e tij se dërgimi i trupave perëndimore brenda Ukrainës nuk duhet të hidhet poshtë.

“Sot nuk jemi në gjendje, por të gjitha këto opsione janë të mundura”, tha Macron.

Scholz e kishte kundërshtuar qëndrimin e Macronit pas takimit të liderëve në Paris për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Ai kishte thënë se pjesëmarrësit ishin pajtuar që vendet evropiane të mos dërgojnë "trupa tokësore" në tokën ukrainase.

Në vorbullën e luftës dhe shtypjes, Putin pranë sigurimit edhe të një mandati

Sfondi i zgjedhjeve në Rusi është i zymtë: Lufta kundër Ukrainës vazhdon, shtypja e pamëshirshme ndaj disidencës është bartur nga debati politik i fushatës zgjedhore në gjykatore, dhe kundërshtari kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin, ka vdekur.

Putin, që ka qenë herë president, e herë kryeministër për pothuajse 25 vjet, pritet që të sigurojë edhe një mandat gjashtëvjeçar në zgjedhjet ashpërsisht të kontrolluara të 15-17 marsit, rezultati i të cilave, me Kremlinin që mban të gjitha levat e pushtetit në mbarë vendin, nuk vihet në dyshim.

Zgjedhjet – në të cilat Putin, 71 vjeç, po garon kundër tre kandidatëve të cilët mezi kanë bërë fushatë, po mbahen në hijen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që tani është në vitin e tretë dhe të vdekjes së dyshimtë të politikanit opozitar, Aleksei Navalny, në një burg në Arktik më 16 shkurt.

Edhe pse rezultati është i parashikueshëm, zgjedhjet megjithatë janë të vështira për Rusinë. Kremlini po tenton që të kthejë zgjedhjet në një shfaqje të unitetit kombëtar për Putinin dhe politikave të tij kyçe: lufta në Ukrainë, shtypja brenda vendit dhe konfrontimi me Perëndimin. Opozita e shtypur e shtetit, me përfaqësuesit e saj kryesisht në burg apo në mërgim dëshiron që të ndihet prania e saj dhe të tregojë se një pjesë e rëndësishme e publikut rus kundërshton shkuarjen e vendit drejt autoritarizmit dhe militarizimit.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Rusët e fillojnë votimin në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave s'vihet në dyshim

Rusët filluan të votojnë të premten në ditën e parë të zgjedhjeve presidenciale treditore, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren tanimë.

Ai do ta zgjasë sundimin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi secili kundërshtar i tij serioz s’u lejua të garojë kundër tij nga Kremlini, i cili po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe mospajtuesve.

Zgjedhjet, të cila nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta, janë të parat që mbahen në Rusi prej se Putini e nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt 2022.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë ditës, votuesit do t'i hedhin votat e tyre në gati 100.000 qendra votimi në 11 zona kohore të vendit, si dhe në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi jashtëligjshëm.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.

Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë.

Në një sondazh të bërë nga VTSIOM Neës në fillim të marsit, 75 për qind e qytetarëve që kanë për qëllim të votojnë, thanë se votën do t’ia hedhin Putinit, ish-oficerit të inteligjencës së jashtme të KGB-së.

Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burgim të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht.

Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i përshkroi zgjedhjet si një “operacion të posaçëm për ta riemëruar Vladimir Putinin”, një referencë ndaj eufemizmit që përdor Kremlini për luftën kundër Ukrainës, të cilën e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.

“S’ka asnjë mënyrë që t’i quani këto zgjedhje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Dhe shumica e popullatës e kupton këtë në mënyrë të përsosur”.

Zëdhënësi i Kremlinit akuza ndaj Perëndimit: Keni shtrembëruar deklaratat e presidentit rus Putin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sqaron deklaratat e Presidentit rus Vladimir Putin për energjinë bërthamore, dhe shprehet se në Perëndim ato fjalë ishin shtrembëruar dhe pjesa në të cilën ai tha se nuk do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje që ai donte të përdorte armë bërthamore taktike në Ukrainë.

Në konferencën për mediat të mbajtur të enjten, Peskov argumentoi se fjalët e Putinit u morën plotësisht jashtë kontekstit.

"Nuk ka pasur kurrë një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore nga Putin."

Ai fillimisht iu përgjigj pyetjeve të gazetarit dhe presidenti foli edhe për arsyet që mund ta bëjnë të pashmangshëm përdorimin e armëve bërthamore.

"Këto janë pikat që gjenden në dokumentet tona përkatëse, të njohura në mbarë botën."

Sipas Peskov, siç raporton agjencia ruse Ria Novosti, ka pasur një “shtrembërim të qëllimshëm të kontekstit”, duke nënvizuar se ka një hezitim për të dëgjuar presidentin Putin.

"Edhe një herë, kjo nuk është asgjë e re, kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë dhe veçanërisht në dy vitet e fundit."

LIVE: Një aeroplanmbajtëse gjigante në Baltik, Rusia shënjestëron një ishull të këtij shtetit; Medvedev prezanton “formulën e paqes”

Një "aeroplanmbajtëse gjigante" në Detin Baltik. Kështu përkufizohet ishulli suedez Gotland, i përmendur gjithnjë e më shpesh me tone kërcënuese në televizionin e Moskës. I vendosur pothuajse në qendër të asaj që është përcaktuar si "liqeni i NATO-s" pas hyrjes së fundit të Suedisë në aleancën Atlantike, për shkak të pozicionit të tij strategjik, ishulli Gotland në fakt mund të përfundojë në pamjet e Vladimir Putinit nëse cari vendos të kundër Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Dhe nga Stokholmi, Kryeministri Ulf Kristersson shpall një plan për të forcuar mbrojtjen e postës dhe për ta mbrojtur atë nga synimet armiqësore të Rusisë.

“Gotland ka qenë gjithmonë i rëndësishëm”, tha kreu i qeverisë suedeze, duke konfirmuar se ishulli baltik do të jetë ndër temat e diskutimit në takimet e ardhshme të NATO-s.

Sidomos sepse për momentin, pranon Kristersson, prania e kufizuar ushtarake në atë territor përfaqëson një cenueshmëri që nuk mund të injorohet më. Mjafton të thuhet se në fund të viteve 1990, aty ishin vendosur katër regjimente dhe 25 mijë ushtarë. Tani ka 370 njësi. Kryeministri suedez, i cili e ka udhëhequr vendin nordik nga neutraliteti historik në një angazhim të rinovuar ushtarak pas agresionit rus në Ukrainë, është duke studiuar tashmë një plan që përfshin dërgimin e ushtarëve në terren dhe forcimin e aftësive të mbikëqyrjes dhe patrullimit të nëndetëseve.

Angazhimi i Suedisë u prit me lehtësim të madh nga vendet baltike, të cilët, nga frika e pushtimit nga Federata, e panë me shqetësim çmilitarizimin e mëparshëm të ishullit strategjik. Për numrin 1 të qeverisë së Stokholmit është e nevojshme që t'i përgjigjet riarmatimit rus.

Medvedev prezanton 'formulën e paqes': Duhet të ndodhë një akt ribashkimi me Federatën Ruse

Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev i ka bërë thirrje Ukrainës që të njohë humbjen e saj duke shtuar se Kievi duhet të pranojë se i gjithë territori i vendit është territor rus. Medvedev shtoi se Ukraina duhet të miratojë një akt ribashkimi me Federatën Ruse.

Për mes një postimi në Telegram Medvedev shkroi se Ukraina aktualisht nuk ka vullnet për të negociuar. Medvedev propozoi një "formulë ruse" për paqen në Ukrainë, e cila përfshin shtatë pika. E para prej tyre është njohja e humbjes së Kievit në luftë, dorëzimi pa kushte dhe çmilitarizimi i territoreve të tij.

"Njohja nga komuniteti ndërkombëtar i karakterit nazist të ish regjimit politik të Kievit dhe denazifikimi i detyruar i të gjitha organeve qeveritare të ish "Ukrainës" nën kontrollin e OKB-së," thuhet në pikën e dytë të formulës së përshkruar nga Medvedev. 

Pas kësaj, OKB-ja duhet të deklarojë se Ukraina ka humbur personalitetin e saj juridik dhe se as një pasardhës ligjor nuk mund të hyjë në aleanca ushtarake pa pëlqimin e Rusisë. Pasi Ukraina njohu humbjen e saj, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus propozoi të formohej përmes zgjedhjeve "një parlament i përkohshëm i këtij territori vetëqeverisës nën kujdesin e OKB-së". Legjislativi duhet të miratojë një ligj për pagesën e dëmshpërblimeve ndaj palës ruse dhe të vendosë një procedurë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në territoret ruse.

“Njohja zyrtare nga parlamenti i përkohshëm i ish-“Ukrainës” se i gjithë territori i saj është territor i Federatës Ruse. Duke nxjerrë një akt për ribashkimin e territoreve të ish-“Ukrainës” me Rusinë”, përshkroi Medvedev hapin tjetër.

Medvedev iu referua gjithashtu "formulës së paqes së Zelenskit", duke thënë se kur e dëgjon atë, ai ndjen  një ndjenjë dërrmuese neverie, e cila shpejt kthehet në një ndjenjë turpi nga surrealizmi i keq i asaj që po ndodh. Duke përdorur këtë formulë, ai propozoi të kërkonte konsensus me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë botën anglo-saksone. 

“Kjo mund të jetë formula e butë ruse për paqen. Ky është një pozicion kompromisi, apo jo?", shtoi Medvedev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat