​“Ngritja e flamurit të bardhë”, Ukraina me aleatë kritikojnë Papa Françeskun

Evropë

​“Ngritja e flamurit të bardhë”, Ukraina me aleatë kritikojnë Papa Françeskun

Më: 11 mars 2024 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë e kanë kritikuar Papa Françeskun më 10 mars, i cili gjatë një interviste sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën dhe e përdori termin “flamuri i bardhë”.

Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.

Françesku ka sugjeruar, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht më 9 mars, se Ukraina, përballë një disfate të mundshme, duhet ta ketë “guximin” për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valosh “flamurin e bardhë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.

Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi më drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke thënë se “kur bëhet fjalë për ‘flamurin e bardhë’, ne dimë strategjinë e Vatikanit nga pjesa e parë se shekullit XX”.

Shumë historianë e kishin kritikuar Vatikanin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Papa Pius XII heshti gjatë Holokaustit. Vatikani argumenton vazhdimisht se, në atë kohë, nuk ishte në gjendje t’i verifikonte raportimet diplomatike për mizoritë naziste, prandaj nuk i kishte dënuar ato.

Kuleba shkroi në rrjetet sociale: “Bëj thirrje për shmangien e përsëritjes së gabimeve të së kaluarës dhe për mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj në luftën e tyre të drejtë për mbijetesë”.

“Flamuri ynë është verdhekaltër. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim dhe triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj”, shtoi ai.

Zelensky ka ngulur këmbë se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat