​Italia anulon dërgimin e fotove nga kamerat e shpejtësisë

Evropë

​Italia anulon dërgimin e fotove nga kamerat e shpejtësisë

Më: 9 mars 2024 Në ora: 20:35
Ilustrim

Ministria e Transporteve e Italisë ka njoftuar se drejtuesit e mjeteve të kapura në tejkalim të shpejtësisë nuk do të marrin më foto nga kamera, por vetëm një njoftim.

Fotot nga kamerat e shpejtësisë do të përdoren vetëm nëse shoferi paraqet një kundërshtim zyrtar për gjobat. “Corriere della Sera” shkruan se ky dekret është miratuar nga shërbimet italiane të mbrojtjes së të dhënave.

Gazeta italiane raporton se ka pasur disa raste të prishjes së marrëdhënieve, martesave apo marrëveshjeve të biznesit pasi fotot e kamerave zbuluan se në makinën e tyre ishte dikush që nuk pritej të udhëtonte me ta.

Matteo Salvini, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit, ka kritikuar vazhdimisht përdorimin e kamerave të shpejtësisë për qëllimin e gjobave, duke argumentuar se bashkitë i përdorin ato për të gjeneruar të ardhura.

"Ne duhet të shpëtojmë jetë përmes parandalimit dhe kontrolleve, por edhe të shpëtojmë kuletat e qytetarëve duke i çliruar ata nga anarkia e kamerave të shpejtësisë," tha Salvini, sipas “Corriere della Sera”.

Salvini tha se kamerat duhet të qëndrojnë në zona me rrezik të lartë, si shkollat dhe spitalet, por jo në rrugë me dy korsi për të taksuar dhe ngacmuar shoferët.

Sipas projekt-dekretit të cituar nga “Corriere della Sera”, kamerat e shpejtësisë duhet të vendosen për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin e trafikut, jo për të mbledhur para për këshillat bashkiakë. Italia ka rreth 11.000 kamera shpejtësie - më shumë se çdo shtet tjetër anëtar i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat