Josep Borrell qëndron në Kiev disa ditë pas miratimit të paketës së ndihmës për Ukrainën

Evropë

Josep Borrell qëndron në Kiev disa ditë pas miratimit të paketës së ndihmës për Ukrainën

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 16:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell rikonfirmoi mbështejen e palëkundur ushatarake dhe financiare të vendeve të BE-së për Ukrainën, gjatë një vizite në Kiev të martën.

Vizita vjen disa ditë pasi Bashkimi Europian miratoi një paketë ndihme 4-vjeçare prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Zoti Borrell tha se ai do të shfrytëzonte takimet në Kiev për të biseduar mbi realizimin e reformave ndërsa vendi po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Të martën, në Ukrainë, mbërriti edhe Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, i cili pritet të vizitojë centralin bërthamor të Zaporizhias.

Zoti Grossi tha se do të zhvillonte bisedime me zyrtarët dhe se do të vlerësonte “sigurinë ende të brishtë të centralit”, e cila gjendet në një zonë të Ukrainës që është nën kontrollin e rusëve.

Përveç shqetësimeve mbi sigurinë e centralit, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka shprehur gjithashtu shqetësim mbi reduktimin e personelit që po punon atje. Zaporizhia është centrali më i madh bërthmor në Evropë.

Sulme të reja

Zyrtarët ukrainas thanë të martën se si pasojë e sulmeve ajrore në verilindje të Ukrainës mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë.

Guvernatori rajonal i Kharkivit tha se dy raketa S-300 shkatërruan një hotel në qytetin Zolochiv.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se shkatërroi 7 dronë ukrainas mbi rajonin e Belgorodit, që është në kufi me Ukrainën.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori rajonal tha përmes një postimi në rrjetin Telegram se mbetjet e dronëve dëmtuan godina në disa qytete, përfshirë qytetet Gubkin dhe Volokonova./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat