Sindikata Ushtarake e Serbisë: Vuçiq dhe krerët ushtarakë na diskriminuan, nuk na informuan për takimin

Evropë

Sindikata Ushtarake e Serbisë: Vuçiq dhe krerët ushtarakë na diskriminuan, nuk na informuan për takimin

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 11:58
Aleksander Vuçiq

Mbledhja e kryesisë ushtarake dhe shtetërore të Serbisë u mbajt në kazermën Topçider pa ndonjë përfaqësues të Sindikatës Ushtarake të Serbisë.

Siç raporton Danas, në këtë takim, të mbajtur të martën, është biseduar për gjendjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë Serbe, kuadrove dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Sindikata Ushtarake e Serbisë ka shprehur pakënaqësinë e tyre sepse pa praninë e tyre është diskutuar për personelin në ushtri, edhe pse që nga viti 2015 zyrtarisht janë sindikata e vetme përfaqësuese e punonjësve të kësaj fushe.

Kryetari i Sindikatës Ushtarake Serbe, Novica Antiq thotë për Danas se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte detyrim ligjor t’i ftonte në takimin në Topçider, por kishte detyrim t’i informonte për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me pozitën e punonjësve.

“Ata kanë detyrim ligjor që të informojnë përfaqësuesit zyrtarë të punonjësve për çështje të rëndësishme në fushën e punës që janë të rëndësishme për pozitën e punonjësve. Anëtarët profesionistë të ushtrisë janë të punësuar dhe punëdhënësi i tyre është Republika e Serbisë”, thotë Antiq.

Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më 4 janar njoftoi se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit, Aleksandër Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

Kjo, siç thuhet, është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat