LIVE: Britania doli hapur në mbështetje të Ukrainës, vjen ‘kërcënimi’ nga Rusia

Evropë

LIVE: Britania doli hapur në mbështetje të Ukrainës, vjen ‘kërcënimi’ nga Rusia

Nga: Bota sot Më: 12 janar 2024 Në ora: 08:35 Përditësuar në ora: 19:01 më 12.01.2024
Foto ilustrim

Medvedev paralajmëron: Vendosja e forcës ushtarake britanike në Ukrainë do të nënkuptonte luftë ndaj Rusisë

Ish-presidenti i Rusisë dhe ndihmësi i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, paralajmëroi sot se Moska do ta konsideronte çdo lëvizje të Britanisë për të vendosur një mision ushtarak në Ukrainë si një deklaratë lufte kundër Rusisë.

Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i bëri komentet në përgjigje të vizitës së kryeministrit britanik Rishi Sunak në Kiev gjatë së cilës ai njoftoi një rritje të fondeve ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të blejë drone të rinj ushtarakë.

“Shpresoj që armiqtë tanë të përjetshëm – britanikët arrogantë – të kuptojnë se vendosja e një misioni zyrtar ushtarak në Ukrainë do të jetë një shpallje lufte kundër vendit tonë,” shkroi Medvedev në një postim në Telegram.

Medvedev u pyet gjithashtu se si do të ndihej opinioni publik perëndimor nëse delegacioni i Sunak do të sulmohej me municione thërrmuese në qendër të Kievit, gjë që së fundmi u ndodhi civilëve rusë në qytetin e Belgorodit. Belgorod, i vendosur në Rusinë jugore pranë kufirit me Ukrainën, është goditur nga raketa dhe dron muajt e fundit.

Në incidentin e 30 dhjetorit të cilit iu referua Menvedev, të paktën 20 civilë u vranë, duke përfshirë dy fëmijë dhe 11 të plagosur, tha Rusia, duke e përshkruar atë si një sulm ukrainas “pa dallim”, që përdori municione thërrmuese.

Media ukrainase RBC-Ukraine, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi se forcat ukrainase goditën objektivat ushtarake në Belgorod në përgjigje të bombardimeve masive ruse një ditë më parë. Medvedev u pa si një modernizues liberal kur ishte president nga viti 2008 deri në 2012, por tani portretizohet si një nga skifterët më të egër antiperëndimorë të Kremlinit.

Ia tregoi gishtin e mesëm dronit ukrainas, ushtari rus e pëson keq pas disa sekondave, kur granatat i erdhën nga qielli

Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë qëlluar me granatë një ushtar rus të zemëruar në vijën e frontit të luftimeve.

Luftimet janë duke vazhduar nga të dyja palët e luftimeve ndonëse në temperatura të ftohta.

Ushtari rus i cili qëndronte afër një strehe në mot të acartë, po ia tregonte dronit ukrainas gishtin e mesëm, por prej aty e pësoi keq kur nga droni u lëshuan së paku dy granata.

Pas rënies së granatave pësuan shpërthime të mëdha dhe për fatin e ushtarit rus nuk dihej më.

Luftimet mes forcave ruse dhe forcave ukrainase po vazhdojnë për pothuajse dy vjet tashmë, dhe nuk ka pasur progres të theksuar nga asnjëra palë.

Kryeministri britanik në Kiev, njofton paketë të re mbështetjeje për Ukrainën

Kryeministri britanik Rishi Sunak po viziton Kievin, për të njoftuar një paketë të re mbështetjeje për Ukrainën në luftën ndaj Rusisë, thuhet në një deklaratë nga zyra e tij.

Zoti Sunak pritet të njoftojë se fondet ushtarake për Ukrainën për vitin e ardhshëm financiar do të jenë 3.2 miliardë dollarë. Ato do të përdoren për blerjen e armatimeve si municione, raketat me rreze të gjatë si edhe pajisje të tjera për mbrojtjen ajrore dhe detare. 

"Jam këtu për t’u thënë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë mëdyshje," tha zoti Sunak. "Ne do të qëndrojmë krah Ukrainës, në ditët më të errëta dhe ditët më të mira që do të vijnë."

Zoti Sunak vizitoi për herë të parë Ukrainën në nëntor 2022, menjëherë pasi u bë kryeministër. Britania ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës. 

Britania është donatori i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara, duke dhënë një total prej 3.3 miliardë dollarësh në 2022 dhe 2023.

Vizita e kryeministrit Sunak erdhi disa orë pasi ushtritë britanike dhe amerikane ndërmorrën goditje masive kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Shqetësimet për përshkallëzim të konflikit Izrael Hamas kanë larguar vëmendjen nga lufta e Ukrainës, një ndryshim që presidenti Volodymyr Zelenskyy po përpiqet ta përballojë përmes diplomacisë.

Ai po nxit aleatët perëndimorë të Kievit që t'i ofrojnë Ukrainës më shumë mbështetje, krahas miliarda dollarëve në ndihmë ushtarake që tashmë i janë dhënë Kievit për t’u përballur me agresionin rus./voa

Kryeministri britanik vizitë në Ukrainë, dalin fotot e tij nga treni për në Kiev

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ka zhvilluar një vizitë në Ukrainë gjatë ditës së sotme.

Sunak tashmë ka mbërritur në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku do të diskutojë për financimin ushtarak për vendin.

Nga fotografitë e nxjerra nga mediat e huaja, mësohet se udhëtimin Sunak e bëri me tren me Zëvendës Shefin e Shtabit të Mbrojtjes, gjeneralmajor Gwyn Jenkins.

Korrespondenti politik i Sky News, Rob Powell shpjegon se Mbretëria e Bashkuar po njofton një “rritje të re të madhe në fondet ushtarake për Ukrainën – që do të shkojë në 2.5 miliardë paund në vitin e ardhshëm financiar”.

Ai thotë se do të ketë gjithashtu një “nënshkrim midis Rishi Sunak dhe Presidentit Zelenskyy të një partneriteti MB-Ukrainë për Bashkëpunimin e Sigurisë”.

Presidenti rus pohon se edhe miqtë e tij ndonjëherë nuk i besojnë se është Putini i vërtetë

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se edhe miqtë e tij ndonjëherë nuk janë të sigurt se kush është ai, për shkak të thashethemeve të shumta se ai përdor sozi në paraqitjet e tij të shumta.

Putini po fliste para një audience në Chukotka, në lindjen e largët të Rusisë, kur i bëri komentet.

“Kur shpesh herë takoj shokët e mi të klasës ose kolegë të universitetit, ata shpesh më shikojnë dhe më thonë, ‘nuk e besoj, a je në të vërtetë ti apo jo?’”, deklaroi presidenti rus.

“Një person nuk e di gjithmonë se si do të sillet kur e gjen veten në një nivel të caktuar përgjegjësie”.

Komentet e tij vijnë pas thashethemeve të shumta që presidenti rus përdor sozi të shumta në paraqitjet e tij publike.

Madje, në shumë raste teoritë konspirative shkojnë deri në atë pikë sa thuhet se Putini ka vdekur dhe dikush tjetër paraqitet në vend të tij.

Rishi Sunak do të vizitojë Kievin për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim sigurie me shtetin ukrainas

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, pritet që gjatë ditës së sotme të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës.

Vizita vjen gjatë kohës që Britania e Madhe ka njoftuar se do të ofrojë një paketë të re ndihme ushtarake, mbështetje humanitare, dhe bashkëpunim për sigurinë e Ukrainës, marrëveshje kjo e cila do të nënshkruhet nga kryeministri britanik dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përmes këtij pakti, Britania e Madhe i ofron Ukrainës shërbime të inteligjencës, siguri kibernetike, trajnime mjekësore, dhe bashkëpunime për mbrojtje nga sulmet e vazhdueshme ruse.

Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes janë edhe 2.9 miliard euro ndihmë ushtarake për vitet 2024-2025.

Duke i pasur parasysh dëmet njerëzore dhe materiale që i janë shkaktuar Ukrainës që nga fillimi i luftës, asaj do t’i ofrohet ndihmë financiare edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja.

BE pritet ta ndihmojë me 50 miliardë euro, ndërsa SHBA-ja me 60 miliardë dollarë.

SHBA, sanksione lidhur me përdorimin e raketave balistike koreano-veriore nga Rusia kundër Ukrainës

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të enjten sanksione ndaj tre subjekteve ruse dhe një individi të përfshirë në transferimin dhe provat me raketa balistike të Koresë së Veriut për përdorimin e tyre nga Rusia kundër Ukrainës, tha të enjten Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Kjo masë vjen dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre dënuan transferimet e armëve midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë përdorimin nga ana e Rusisë të raketave balistike të Koresë së Veriut kundër Ukrainës më 30 dhjetor dhe 2 janar. Moska dhe Pheniani kanë forcuar lidhjet që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, megjithëse kanë mohuar të kenë bërë ndonjë marrëveshje për armët.

"Ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme," tha zoti Blinken në një deklaratë. “Transferimi i raketave balistike nga Koreja e Veriut në Rusi mbështet agresionin e Rusisë, rëndon vuajtjet e popullit ukrainas dhe minon normat globale”, shtoi zoti Blinken.

Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë tha se Rusia kishte përdorur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut për të kryer sulme të shumta kundër Ukrainës, duke cituar burime zbulimi. Një zyrtar i lartë ukrainas e vërtetoi më vonë këtë njoftim.

Koreja e Veriut ka qenë nën një embargo armësh nga Kombet e Bashkuara që kur testoi për herë të parë një bombë bërthamore në vitin 2006. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuara me mbështetjen ruse, ndalojnë vendet të tregtojnë armë ose pajisje të tjera ushtarake me Korenë e Veriut./VOA

Lufta në Ukrainë, paralajmëron Zelensky: Ja kush do të përfitonte nëse do të kishte një armëpushim

Nuk ka paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha këtë të enjte se një armëpushim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të çonte në dialog politik dhe se nga diçka e tillë do të përfitonte vetëm Moska.

Gjatë një turneu në rajonin e Baltikut, Zelensky u tha gazetarëve në kryeqytetin estonez, Talin, se çdo pauzë do të rrezikonte lënien e Rusisë të rigrupohet dhe të rrisë furnizimin e saj me municione. “Ne nuk do të rrezikojmë”, tha ai.

“Pauza nuk do të çonte në përfundimin e luftës, nuk do të çonte në dialog politik me Rusinë apo dikë tjetër… Dhe faleminderit Zotit e gjithë kjo është vendosur në Ukrainë dhe nuk do të ketë pauza në përfitim të Rusisë”, tha ai.

Në udhëtimin e tij në Lituani, Letoni dhe Estoni – disa nga mbështetësit e tij më të vendosur në Bashkimin Evropian dhe aleancën ushtarake të NATO-s – Zelensky shpreson të sigurojë më shumë ndihmë financiare dhe ushtarake dhe të diskutojë ofertat e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

Tri shtetet baltike ishin vendet e para perëndimore që furnizuan Ukrainën me armë në javët para pushtimit rus, në shkurt 2022.

Zelenskiy tha se Rusia po përballej me një “deficit” municioni dhe po luftonte për të rindërtuar trupat e saj elitare.

Ai pretendoi se Rusia po negocionte blerjet e raketave nga Irani dhe se forcat ruse kishin marrë më shumë se një milion municione nga Koreja e Veriut.

Zelensky refuzoi të komentojë deklaratat e ministrit italian të Mbrojtjes se kishte ardhur koha për diplomaci në konflikt.

“Nuk kam pasur kurrë negociata të tilla me Italinë në asnjë nivel, kështu që është e vështirë për mua të komentoj”, tha ai.

Kritikoi Vladimir Putin, e pëson keq lider i “Frontit të Majtë” në Rusi

Sergei Udaltsov, një aktivist rus pro-luftë dhe kritik i presidentit rus Vladimir Putin, është arrestuar të enjten me akuza për terrorizëm, ka thënë avokati i tij për agjencinë ruse të lajmeve “TASS”.

Udaltsov është lider i “Frontit të Majtë”, një grup i partive politike që kundërshton Putinin dhe që është i lidhur me Partinë Komuniste.

Ai kishte rënë në sy gjatë protestave të vitit 2011-12, që ishin më të mëdha në Rusi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Për pak kohë ai ishte aleat me politikanin opozitar rus, tashmë të burgosur, Alexei Navalny.

Shumë aktivistë, avokatë dhe figura të opozitë janë arrestuar dhe burgosur në Rusi që nga pushtimi rus i Ukrainës. Udaltsov dallon prej tyre pasi ka mbështetur luftën dhe aneksimin e Krimesë, por mbetet kritik i Putinit.

Të enjten, Udaltsov shkroi në kanalin e tij në rrjetin social “Telegram” se policia po trokiste në derën e shtëpisë së tij për ta bastisur.

Avokatja e tij, Violetta Volkova, tha për “Tass” se pajisjet elektronike janë konfiskuar gjatë bastisjes, dhe se është hapur rast penal kundër Udaltsovit për “justifikim të terroriznmit” dhe se është marrë në pyetje e është paraburgosur. Volkova tha se ai pritet të paraqitet në gjykatë të premten. Nëse shpallet fajtor mund të dënohet me shtatë vjet burgim.

Kievi paralajmëron: Rusia mund të mposht mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Rusia e filloi vitin e ri me një breshëri sulmesh ajrore, duke përfshirë natën më të rëndë të sulmeve me raketa që nga fillimi i luftës, ndërsa Ukraina lufton për të përballuar një kërcënim në zhvillim me furnizimin e kufizuar të sistemeve të mbrojtjes perëndimore.

Sulmet e janarit të Rusisë kanë përdorur të gjithë gamën e arsenalit të saj ajror: raketa lundrimi, raketa balistike nga afër kufirit ruso-ukrainas, raketa hipersonike dhe drone më të ngadaltë, të gjitha ndonjëherë përdoren për të goditur të njëjtin objektiv, tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak për CNN në Kiev.

Analistët ndërkombëtarë thonë se sulmi i raketave ruse, të grumbulluara për muaj të tërë, synon të kapërcejë mbrojtjen e kufizuar raketore të Ukrainës.

Kjo qasje ka pasur njëfarë suksesi. Sipas autoriteteve ukrainase, Ukraina arriti të rrëzonte vetëm 18 nga 51 raketat e lëshuara në vend më 8 janar.

Kanë hyrë në lojë edhe taktika të reja.

Disa ndryshime janë të thjeshta: Rusia ka filluar t’i lyejë dronët e saj të prodhuar nga Irani me ngjyrë të zezë, duke i kamufluar në qiellin e natës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat