Kryediplomatja gjermane: Lavrov ka ardhur të flasë, jo të dëgjojë të tjerët

Evropë

Kryediplomatja gjermane: Lavrov ka ardhur të flasë, jo të dëgjojë të tjerët

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 16:22
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në fjalimin e saj në samitin e OSBE-së në Shkup ka reaguar për mungesën e pranisë së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa po mbante fjalimin e saj para pjesëmarrësve të samitit.

“Kësaj here në këtë sallë është e përfaqësuar edhe Rusia, edhe pse jo ministri i saj, i cili ka ardhur vetëm për të folur e jo për të dëgjuar të tjerët, unë ju them – ndaloni këtë luftë, e cila është e drejtuar edhe kundër OSBE-së”, ka deklaruar Baerbock.

Ajo ka theksuar se kjo nuk kërkon negociata, lëshime nga Ukraina, por vetëm një vendim të Rusisë për të respektuar parimet e OSBE-së dhe tërheqjen e trupave të saj.

Baerbock u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare, të cilat duan të dëgjojnë, që të bëjnë gjithçka për të ruajtur efektivitetin e OSBE-së përmes një vendimi të përbashkët në favor të rendit evropian të sigurisë.

Ndër tjerash, Baerbock ka thënë se bashkëpunimi në kuadër të organizatës duhet të forcohet më tej me gjithë pengesat që Rusia ka vendosur për më shumë se një vit.

Fakti që Rusia dështoi të shkatërrojë OSBE-në, “është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes”, është shprehur shefja e diplomacisë gjermane, duke theksuar se “ky rend paqeje duhet të vazhdojë”.

Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat