Turqi: Partia opozitare CHP zgjodhi liderin e ri

Evropë

Turqi: Partia opozitare CHP zgjodhi liderin e ri

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 10:17
Turqi: Partia opozitare CHP zgjodhi liderin e ri

Ndryshimi i lidershipit vjen pasi kryetari aktual i CHP, Kemal Kilicdaroglu humbi ndaj presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit.

Partia Republikane Popullore (CHP) e opozitës turke zëvendësoi të shtunën udhëheqësin e saj Kemal Kilicdaroglu me Ozgur Ozel-in.

Ozgur Ozel, një ish-farmacist dhe figurë partiake më pak e njohur, u bë lideri i ri me mbështetjen e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.

Ai mori 812 vota nga një nummër i përgjithshëm i mundshëm prej 1366 në kongresin e partisë në Ankara, të cilit iu deshën dy raunde votimi për të përcaktuar rezultatin.

"Ky është nderi më i madh i jetës sime,” tha Ozel pas shpalljes së rezultateve. "Ne jemi në rrugën e fitores në zgjedhjet lokale”, kur Turqia shkon drejt zgjedhjeve të rëndësishme lokale në mars 2024.

Image
Kongresi i CHP

"Ne besuam në shndërrimin e dëshpërimit në shpresë, ne jemi plot shpresë," tha Ozel ndërsa që u përshëndet nga mbështetësit e tij, duke përfshirë Imamoglun.

CHP dëshiron të bazohet në sukseset e saj të mëparshme

13 vitet e zotit Kilicdaroglu si kreu i CHP-së, krijuar nga themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, përfunduan me kritika për mospranimin e tij që të jepte dorëheqjen pasi nuk arriti të kapërcejë pragun e mbështetjes prej 25 për qind për nivelin kombëtar.

"Unë e kam mbajtur me nder trashëgiminë e udhëheqësit tonë të madh Atatürk deri sot," tha zoti Kilicdaroglu në platformën X, të njohur më parë si Twitter, duke pranuar rezultatin dhe duke uruar Ozelin.

"Dhe sot, me vendimin e marrë nga delegatët e kongresit tonë, i them lamtumirë pozitës së kryetarit".

Ozel tani do të drejtojë CHP-në në zgjedhjet lokale të 31 marsit të vitit të ardhshëm.

Partia synon të rifitojë qytetet e mëdha, duke u mbështetur në sukseset e saj të mëparshme pasi fitoi Stambollin dhe Ankaranë ndaj partisë së Erdoganit në vitin 2019./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat