Sahra Wagenknecht: Dikur komuniste, sot populiste?

Evropë

Sahra Wagenknecht: Dikur komuniste, sot populiste?

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 08:21
Sahra Wagenknecht, politikania më e njohur e partisë E Majta, u largua nga partia, për të krijuar një parti të sajën

Peizazhit politik në Gjermani i shtohet një parti e re: "Aleanca Sahra Wagenknecht – Për arsyen dhe drejtësinë". Potenciali i saj duket mjaft i madh –-madje ajo mund të tërheqë zgjedhës edhe nga radhët e partisë AfD.

Marrëdhëniet e saj me partinë E Majta asnjëherë nuk kanë qenë pa telashe. Tani Sahra Wagenknecht e mori vendimin: Ajo u largua nga partia, dhe nëntë anëtarë të grupit parlamentar janë bashkuar me të. Njëkohësisht 54 vjeçarja deklaroi, se do të krijojë partinë e re të emërtuar "Aleanca Sahra Wagenknecht – Për arsyen dhe drejtësinë" (BSW).

Rreth 20 përqind shfaqin simpati për partinë e re

Spekulimet, që do të krijohej një partie e re prej saj, Wagenknecht, me titullin doktor në shkencat ekonomike, i ka nxitur vazhdimisht vetë nëpër intervista. Që ajo e ndërmori tani këtë hap, kjo ka të bëjë me sondazhet, sipas të cilave prej muajsh një parti e drejtuar prej saj mund të ketë rezultate premtuese në zgjedhje. Sipas një studimi aktual të institutit të demoskopisë Civey realizuar për portalin e lajmeve "t-online" deri në 20 përqind mund t'ia japin votën partisë së Wagenknechtit.

Partia e deritanishme e saj E Majta, është vazhdimisht në rënie. Në fillim të tetorit ajo dështoi në zgjedhjet për parlamentet e landeve në Bavari dhe Hesen duke mos e arritur pragun e përfaqësimit parlamentare prej 5 përqind. Ndërkohë E Majta nuk është e përfaqësuar në asnjë land perëndimor. Ndërsa në qytetet-shtet Hamburg dhe Bremen kjo parti vazhdon të jetë në parlament.

Si asnjë politikane tjetër gjermane, Sahra Wagenknecht konsiderohet si dikush që turbullon gjakrat, jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga kampi i vet. Ish- kryetarja e grupit parlamentar të partisë 'E Majta' në parlamentin gjerman, shkakton gjithnjë telashe për kolegët deputetë për shkak të mosrespektimit të disiplinës së partisë dhe vëmendjes së madhe që Wagenknecht merr pa pushim nga mediat.

Në një kohë që partia E Majta ka rënë në sondazhe poshtë 5 përqind, pragut të përfaqësimit, dhe nëse do të bëheshin zgjedhjet sot, nuk do të arrinte dot të hynte në parlament, popullariteti i Wagenknechtit ka vazhduar të rritet. Kryesia e partisë i pati kërkuar herë pas here Wagenknechtit që të sqarojë qëndrimin që ka kundrejt partisë së vet, fjala ka qenë edhe për dhënie ultimatumi për përjashtim nga partia.

Wagenknecht, e cila del rregullisht në bisedat politike televizive gjermane, u kthye vitin e kaluar në kryesuese të një "fushate paqësore”, që i kërkonte Perëndimit të ndalonte armatosjen e Ukrainës për t'u mbrojtur nga sulmi rus. Përveç kësaj, Wagenknecht pati kritikuar udhëheqjen e partisë E Majta, e cila u përulet të majtëve të ashtuquajtur "E majta me stil jete të majtë”, politika për integrimin e pakicave të të cilëve, nxjerr jashtë loje, sipas saj, elektoratin bazë të partisë E Majta.

Fenomeni Wagenknecht – rrezik për krahun e djathtë?

Image
Nëntë anëtarë të grupit parlamentar të partisë E Majta janë bashkuar me partinë e re të Sarah WagenknekchtitFotografi: Sean Gallup/Getty Images

Popullaritet të madh gëzon Wagenknecht sidomos në lindje të Gjermanisë. Një sondazh i institutit Insa të Tyringenit, zhvilluar në korrik 2023 nxorri, se një parti e re e drejtuar nga Wagenknecht do të arrinte të fitonte nëse zhvilloheshin zgjedhje në landin, ku ajo ka lindur, me 25 përqind të votave, tre përqind më shumë se partia pjesërisht ekstreme e djathtë, Alternativa për Gjermaninë(AfD), e cila do të kalonte kështu në vend të dytë. Mbase nuk është rastësi, që kryetari i AfD-së, tyringenasi Björn Höcke, po ashtu i njohur në çështjet e provokimit, e ftoi Wagenknechtin pas një "demostrate paqësore” zhvilluar në shkurt, që të kalonte tek AfD.

Për kolegun e partisë E Majta dhe ish-bashkëpunëtorin e Wagenknechtit, Christian Leye, kjo tregon se AfD trembet nga ajo më shumë se nga kushdo tjetër në spektrin e politikës gjermane. "Sahra Wagenknecht është kritikuese e besueshme e gjendjes, ajo guxon të kritikojë qeverinë me fjalë të qarta”, thotë ai për Deutsche Wellen. "Ajo mund të kthehet në alternativë sociale dhe politike paqësore për të gjithë ata, që kanë të drejtë të jenë të pakënaqur. Dhe kjo është shumë e nevojshme, pikërisht sepse nuk lejohet t'i lirohet vendi një partie si AfD.”

Studiuesja e shkencave politike, Sarah Wagner nga Universiteti i Manhajmit, është marrë me fenomenin Wagenknecht. Ajo ka parë, se Wagenknecht është po aq popullore mes idhtarëve të AfD-së, sa është udhëheqja e AfD-së. "Ne shohim, se pikërisht tema e migracionit shihet shumë e lidhur me Wagenknechtin,” thotë Wagner në bisedë me DW. "Megjithatë, nëse vërejmë potencialin e njerëzve që mund t'ia japin votën Wagenknechtit, atëherë shohim se nuk janë vetëm ata që kritikojnë migracionin, por janë edhe ata që në përgjithësi kanë qëndrim konservator. Kjo do të thotë se ata janë kritikë ndaj mbrojtjes së klimës ose janë kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ."

Wagner thotë, se një pjesë e madhe e idhtarëve aktualë të AfD nuk janë shumë të angazhuar në parti, prandaj mund të fitohen nga një parti tjetër. "Këta janë zgjedhës që janë të pakënaqur me demokracinë, që kanë qëndrim konservator. Shumë prej tyre nuk ndihen mirë me AfD, por nuk shohin ndonjë parti tjetër, për t'i dhënë votën.” 

Image
Fotografi: Herbert Knosowski/dpa/picture alliance

Vlera konservatore, plane ekonomike socialiste

Disa vëzhgues mendojnë se Wagenknecht i ofron Gjermanisë një kombinim të pazakontë: vlera sociale konservatore të lidhura me plane ekonomike socialiste. "Ne nuk mund të themi tamam, sa njerëz orientohen nga vlerat konservatore të majta”, thotë Wagner. Por ajo që mund të thuhet është se ky grup është jo i vogël.”

Partia e Wagenknechtit në parketin ndërkombëtar, mbase mund të jetë e ngjahme me Partinë Socialiste të Holandës, e cila përfaqëson një linjë të ashpër në çështjet e migracionit, ose me Partinë Komuniste Greke, që ka votuar kundër ligjit për institucionalizimin e martesës midis dy personave të një gjinie. 

Studimi i Wagnerit ka nxjerrë se potenciali i një partie të Wagenknechtit ndodhet kryesisht në lindje të Gjermanisë. 

Përndryshe, thotë Wagner, nuk ekziston ndonjë grup specifik popullsie, të cilit i drejtohet ajo: Idhtarët e Wagenknechtit nuk janë as të rinj as të moshuar, nuk janë as pjesa më e madhe burra ose gra, nuk janë as pjesë e një shtrese të caktuar. Kështu që Wagenknecht mund të arrijë potencialisht shumë njerëz.

Ajo guxoi

Krijimi i një parti të re mund t'i kushtojë ekzistencën politike partisë E Majta, falë së cilës Wagenknecht ka bërë karrierën politike. Sepse Wagenknechtit tani i janë bashkuar nëntë deputetë nga grupi parlamentar i partisë E Majta.

E lindur në vitin 1969 në Jena të Tyringenit, me mama gjermane dhe baba iranian, politikania Wagenknecht e ka kaluar praktikisht gjithë jetën në partinë, që sot quhet partia E Majta. Që para shpërbërjes së Gjermanisë Lindore, ajo ka qenë anëtare e partisë pararendëse të partisë E Majta, Partisë së Unitetit Socialist të Gjermanisë SED, që ka qenë në pushtet në Gjermaninë lindore komuniste. 

Me marrjen e këtij vendimi për t'u shkëputur beteja e Wagenknechtit ka këtë plan: Kandidim për zgjedhjet europiane pranverën e ardhshme, për të provuar terrenin, pasuar nga zgjedhjet e përgjithshme për parlamentet e landeve në tre landet gjermano-lindore në Brandenburg, Saksoni dhe Tyringen, në vjeshtë të 2024. 

Me partinë e re të Wagenknecht mbetet të shihet nëse AfD do të vazhdojë të rritet. Po ashtu me të do të varet edhe e ardhmja politike e Gjermanisë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat